Vjedhja në shtëpinë e këngëtares së njohur kosovare, Policia jep detaje

Prishtinë | 29 Dhj 2021 | 09:17 | Nga Ekonomia Online

Shtëpia e këngëtares së njohur kosovare, Adelina Berisha, ka qenë cak i hajnave. Rasti ka ndodhur të hënën.

Për këtë rast, ka dhënë detaje edhe Policia e Kosovës. Përmes raportit, Policia ka treguar se nga shtëpia e Berishës janë vjedhur para të gatshme dhe stoli.

“ Rr. Shaip Kamberi, Prishtinë 27.12.2021-19:00. Viktima femër kosovare ka raportuar se persona të panjohur me force kane depërtuar në shtëpinë e saj nga e cila kanë vjedhur para të gatshme dhe disa stoli ari.

Ndryshe, burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se e gjithë ngjarja ka ndodhur pas mesnatës, rreth orës 01:30, në rrugën “Shaip Kamberi” të kryeqytetit.

Hajnat arritën të hyjnë në shtëpinë e këngëtares Adelina dhe të vjedhin para e stoli ari. Rastin e vjedhjes e denoncoi artistja në Polici, ku edhe kanë dhënë deklaratën e saj për këtë rast.

Të njëjtat burime nga Prokuroria kanë njoftuar se nga shtëpia e saj u vodhën rreth 10 mijë euro, si dhe stoli të arit, vlera e të cilave nuk dihet.

Pas deklaratës së dhënë para hetuesve, prokurori kujdestar ka dhënë urdhër që ky rast të iniciohet si “vjedhje e rëndë” dhe të nisin hetimet për kapjen e të dyshuarve.

Kujtojmë se më parë, saktësisht në vitin 2016, këngëtares Adelina Berishës i  është djegur vetura, ku një person kishte thyer xhamin e veturës me gurë dhe kishte hedhur benzinë.

Të ngjashme