“Without Remorse” filmi i ri i Michael B. Jordan

Prishtinë | 05 Pri 2021 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Konfirmohet data e lansimit të filmit të ri të aktorit Michael B. Jordan, “Without Remorse”. Ky projekt vjen nëpër kinema dhe në platformën “Amazon Prime”, më 30 prill.

Adaptimi i studios “Paramount” i romanit të famshëm të autorit, Tom Clancy, ishte planifikuar të lansohej në ekran të madh në tetor të vitit të kaluar, por si shumë projekte tjera, kishte pësuar ndryshim të datës së lansimit disa herë si rezultat i pandemisë.

Në film Jordan e portretizon ushtarin e Marinës, John Clark, i cili vendos të marrë hak ndaj vrasësve të gruas së tij shtatzënë, por shpejt e zbulon se ky rrugëtim do ta përfshijë atë në një konspiracion shumë më të madh se që kishte menduar.

Aktori Jamie Bell së fundmi i është bashkuar ekipit të filmit, regjinë e të cilit do ta bëjë Stefano Sollima, bazuar mbi skenarin e Taylor Sheridanit.

Bell në film vjen në rolin e zëvendësdrejtorit të operacioneve në CIA, Robert Ritter, i cili ndihmon në rekrutimin e Clarkut në agjenci.

Studioja “Paramount” i ka kaluar disa vjet duke u munduar ta fitojë të drejtën autoriale për adaptimin e këtij tregimi në ekran të madh, derisa yjet, Ryan Reynolds dhe Chris McQuarrie, besohet të kenë qenë të përfshirë në këtë projekt.

Michael B. Jordan, i cili po ashtu shërben si producent i filmit të ardhshëm, bashkë me Akiva Goldsmanin, Josh Appelbaumin dhe Andre Nemecun, gjithashtu do ta luajë rolin protagonist në një projekt të ri filmik, me titull “Rainbow Six”, xhirimet e të cilit planifikohet të nisin këtë vit.

Të ngjashme