Yll Limani: “Shiu” kënga më e bukur që kam realizuar deri më tani

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 15:00 | Nga

“Thjesht, dua që performanca të rrezatojë besimin që unë e kam në këtë këngë, dhe që kënga të arrije të emocionojë publikun, njësoj si me rrëqeth mua”, përfundoj Yll Limani.

Sivjet edicioni i 55-të, i Festivalit të Këngës në RTSH, duket që ka sjellë një laramani të këngëtarëve. Këtë edicion pjesë e këtij festivali të madh do të jetë edhe këngëtari nga Kosova Yll Limani. Ylli, në RTSH, do të jetë në garë me këngën “Shiu”, një baladë që siç e tha është sa e dhimbshme aq edhe e fuqishme. “Këtë vit vendosa të jem pjesë e Festivalit të Këngës në RTSH, sepse kënga me të cilën do të marrë pjesë mendoj se i përshtatet shumë asaj skene dhe besoj që i përmbush të gjitha kriteret e një këngë dinjitoze, e cila më përfaqëson më së miri”, tha fillimisht Yll Limani, i cili vazhdoi tutje të tregoj për bashkëpunëtorët e tij në këtë këngë.

“Bashkëpunëtore e kësaj kënge është Iliriana Blakaj, një mikeshe e imja shumë e talentuar, që shkriu shpirtin e saj në realizimin e kësaj kënge. Ndërsa, shpresoj dhe kam besim që kënga do të pëlqehet nga njerëzit që më përkrahin tash e sa kohë, por edhe nga një publik tjetër, një publik më serioz, që e ndjej se do gjejë vetën në këtë këngë. Dua që kënga të ketë sukses, qoftë në festival, qoftë jashtë festivalit”, theksoi Ylli.

“Shiu”, është një baladë sa e dhimbshme, aq edhe e fuqishme. Teksti i këngës rrëfen historinë e një çifti, i cili i jep fund historisë së tyre të dashurisë, që nisi me diell, por që përfundoi me shi.

“Në momentin që vendosa të marrë pjesë në festival, qëllimi final ishte Eurovisioni. Nëse ndodh që unë të fitoj festivalin dhe të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision, do ishte nder por edhe përgjegjësi shumë e madhe”, u shpreh këngëtari i cili tha se kjo është kënga më e bukur që e ka realizuar deri më tani, dhe ai është i bindur që kënga do të ketë sukses, sido që të shkojnë gjërat.

Ai tha se pjesëmarrjen në festival e sheh si një shansë për të marrë pjesë në Eurovision, por sipas tij, jo si një gjyqtar final se a është kënga e mirë apo jo. “Thjesht, dua që performanca të rrezatojë besimin që unë e kam në këtë këngë, dhe që kënga të arrije të emocionojë publikun, njësoj si me rrëqeth mua”, përfundoj Yll Limani. (KultPlus)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme