Yll Limani sjell artin e të atit në skenë dekada më vonë: Djali ia këndon babait këngën

Prishtinë | 31 Kor 2022 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Kur Yll Limani lindi në 1994 grupi ‘Minatori’, pjesë e të cilit ishte babai i tij, Mufaili, kishte vite në tregun muzikor dhe atë vit publikuan albumin e parë “Orgazmi Më Vjen Prej Syve Të Tillë”. Grupi u tërhoq nga muzika pak vite më vonë ndërsa këngët e tyre vijojnë t’i mbijetojnë kohës dhe dekada më vonë Ylli këndon këngët e të atit nëpër koncerte.

“Të dua sa Kosovën” është një nga këngët më të famshme të grupit që Ylli e ka të preferuar dhe e këndon shpesh. Siç ka bërë në një nga koncertet e tij të fundit. Ai ka publikuar pamjet në Instagram duke shkruar: “Dekada më vonë, djali ia këndon babit këngën në çdo koncert”.

Emri i Yllit u bë i famshmëm për herë të parë në talent show-n “The Voice of Albania” në vitin 2011 ku ra në sy jo vetëm për zërin magjepsës por edhe për sensin e tij të humorit që shkaktonte shpesh të qeshura në skenë. Mirëpo, ndonëse prej vitesh tashmë është një nga emrat më të lakuar të skenës muzikore shqiptare, pakkush e di se Ylli Limani vjen nga një familje artistësh. Ylli është i biri i kitaristit të grupit legjendar ‘Minatori’, Mufail Limani.

Sakaq, babai i artistit krahas punës me grupin legjendar muzikor, ka qenë gjithashtu drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës për një periudhë kohe.

Grupi “Minatori” njihet si një ndër grupet më të njohura në Kosovë, të cilët janë dalluar edhe për tekstet e këngëve, të cilat vazhdojnë të mbeten të paharruara për shumë adhurues.

Një ndër këngët e famshme të grupit “Minatori”, është edhe kënga “A thua ëndërr ishe ti”, mirëpo, grupi “Minatori”, është një ndër grupet që ka krijuar shumë hite për vitet e 80-ta, ku këngët e tyre kanë qenë hite në Radio Televizionin e Prishtinës.

Të ngjashme