Zana Krasniqi mbetet jashtë Asamblesë Komunale të Prishtinës

Prishtinë | 03 Nën 2021 | 16:26 | Nga Ekonomia Online

Modelja e njohur shqiptare, Zana Krasniqi, e shpallur “Miss Universe Kosova” në vitin 2008, këtë vit vendosi t’i futet edhe politikës.

Ajo aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje, duke kandiduar për asambliste në zgjedhjet lokale 2021, që u mbajtën më 17 tetor.

Krasniqi e bëri të qartë se arsyeja e kalimit të saj në politikë ishte kauza e saj për ambientin, me çka do të bënte të pamundurën për të shtyrë përpara fushatat e gjelbra për kryeqytetin.

Mirëpo me shpalljen e rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mërkurën për kandidatët asamblistë, rezulton që modelja e njohur nuk i ka fituar votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e Asamblesë Komunale në Prishtinë.

Ajo ka marrë në total 380 vota, duke dalë femra e tetë më e votuar në listën e Vetëvendosjes në Prishtinë, të udhëhequr nga prijësi Arben Vitia.

Lëvizja Vetëvendosje pritet të ketë plot 17 ulëse në Kuvendin Komunal, me çka sipas kuotës gjinore, pesë prej tyre mund të jenë femra – llogaritje kjo e cila nuk ia siguron Zanës ulësen e asamblistes në Komunën e Prishtinës.

Zana Krasniqi – Fazliu, konkurroi në zgjedhjet lokale të tetorit me numrin 20.

Të ngjashme