12 profesionet më të çuditshme në botë

Prishtinë | 19 Shk 2020 | 23:25 | Nga Ekonomia Online

Ju mund të paguani dikë për punët e shtëpisë, dado, shofer, por në botë ca njerëz paguhen për punë specifike, të veçanta dhe mjaft të çuditshme.

“Mjelës” i gjarpërinjve

Personave që mjelin gjarpërinjtë, u duhet të bëjnë njërën ndër punët më të rrezikshme, por edhe më të çuditshme në botë. Ata nxjerrin helmin nga gjarpërinjtë më të frikshëm, helm ky që përdoret më pas për të krijuar një anti helm për përdorim spitalor dhe laboratorik, që mund të shitet për plot 1 mijë dollarë grami.

Shoqëruese nusesh

Nuk ua keni besën shoqeve të ngushta? Mund të punësoni shoqëruese profesioniste nusesh, të cilat ndihmojnë nusen në ditën e saj të madhe. Jen Glantz, themeluese e “Punëso një shoqëruese”, thotë se kompania ofron “shoqëruese nusesh të fshehta” dhe shërbime personale për nuset dhe festën e dasmës. Çmimi? Nga 300 deri në 2 mijë dollarë për çdo dasmë.

Zhvendosësh ajsbergu

Zhvendosja e ajsbergëve u bë një profesion që pas mbytjes tragjike të Titanikut në vitin 1912. Patrulla Ndërkombëtare e Akullit (IIP), që u themelua një vit më vonë, operohet nga Roja Bregdetare Amerikane. Punonjësit lokalizojnë ajsbergët dhe ofrojnë rrugë të sigurta rreth tyre. Nëse është e nevojshme, ata mundësojnë edhe zhvendosje të ajsbergut nga ajo zonë.

Vajtues

Vajtuesit profesionistë marrin pjesë në funerale dhe vajtojnë një person të vdekur. Një kompani në Angli, e quajtur “Merr me qira një vajtues” është e specializuar në këtë industri dhe ofron vajtues me çmimin prej 70 dollarësh për dy orë.

Instruktor sërfi për qentë

Mund t’i gjeni në resortet turistike buzë oqeaneve. Instruktorët e qenve që bëjnë sërf janë një profesion më vete. Të specializuar në mësimin e njerëzve dhe qenve si të qëndrojnë mbi tabelën e sërfit, nëse dëshironi një cilësi që ta dallojnë qenin tuaj nga të tjerët, shfrytëzojeni.

Masazhatorë fytyre

Të pagëzuar si “shkencëtarë ndjesorë”, këta masazhatorë fytyre bëjnë më shumë se aq. Ata mund të punësohen për 25 dollarë ora për të kuptuar efektivitetin e produkteve si locionet ose pastruesit e fytyrës.

Ledhatues

Kush mund ta mendojë se ledhatimi është një profesion? Mos u habisni! Këta persona paguhen 80 dollarë në orë për të qëndruar të përqafuar me të tjerët.

Artistë të hirit

Artistët e portreteve nga hiri mund të krijojnë vepra arti me hirin e një personi që është ndarë nga jeta. Shumë persona i punësojnë këta njerëz që të bëjnë një send me të cilin mund ta kujtojnë gjithnjë personin e zemrës duke e pasur me vete, si për shembull një varëse.

Nuhatës të frymës

Këta vlerësues të frymës punojnë zakonisht për kompanitë që prodhojnë çamçakëz, mente, pasta dhëmbësh apo produkte të lëngshme për larje goje. Ata vlerësojnë efektivitetin e produkteve dhe u japin një mendim prodhuesve.

Shijues të ushqimit të qenve

Nuk ia keni besën ushqimit të qenit tuaj? Punësoni një njeri që do ta shijojë ushqimin e bërë posaçërisht për të dhe që do t’ju thotë nëse cilësia e produktit është ajo e duhura. Këta persona vlerësojnë gjithashtu vlerën ushqyese të produkteve për kafshët.

Pritës në radhë

Tepër të padurueshëm për të pritur në radhë? Punësoni një profesionist që ka durimin që ju mungon. Për 1 mijë dollarë në javë, dikush do të qëndrojë në radhë për ju në ditët më të ngarkuara të blerjeve.

Shkrues mesazhesh për biskota

Tepër të pëlqyera nëpër botë, biskotat e fatit kanë nevojë të shkruhen nga një person i vërtetë. Në fakt, prodhuesit e këtij produkti punësojnë shkrimtarë që shkruajnë vargje të cilat i motivojnë njerëzit. Puna paguhet rreth 40 mijë dollarë viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme