Arsyet e fshehjes së likeve nga Instagram!

Prishtinë | 15 Qer 2021 | 23:59 | Nga Ekonomia Online

Që prej vitit të kaluar, Instagram testoi në disa shtete idenë e tyre më të re: atë të zhdukjes së numrit të likeve nga fotot.

Edhe pse nuk do të mund të shohim më numrin e likeve tek të tjerët, përsëri do të mund të shohim numrin e likeve tek postimet tona, pra do të vazhdojmë të marrim feedback se çfarë pëlqehet dhe çfarë jo.

Së dyti, edhe tek postimet e të tjerëve, nëse klikojmë tek “others” do të na shfaqet lista e atyre që e kanë pëlqyer një postim. Nëse të intereson vërtet numri i likeve tek dikush, mund të numërosh të gjithë personat e listës. Por është diçka që zor se do ta bëjë dikush, sidomos në postime që kanë qindra apo mijëra likes.

Por, pse e ka bërë Instagram këtë lëvizje?

  1. Për t’u diferencuar nga rrjetet e tjera. Për të qenë inovues, duke u munduar të krijojë një të ardhme ndryshe në rrjetet sociale, ku kryesore të jetë përmbajtja, jo forma. Është një përpjekje për të rritur kreativitetin dhe të mos mundohesh të përshtasësh postimet në mënyrë të tillë që të marrë më shumë like, por të bësh atë që realisht mendon se sjell një impakt pozitiv në komunitet. Insta do të thotë e çastit. Dhe kjo është çfarë i ka dhënë kaq popullaritet duke e bërë rrjetin social më të madh në botë. Sepse në fillimet e tij njerëzit por edhe bizneset ishin më të vërtetë, nuk kuroheshin kaq shumë, por vetëm postonin një foto të momentit, sido që të ishte.
  2. Për të rritur të ardhurat. Ky është një biznes në fund të fundit. Instagram ka kuptuar që platforma e vetë ka filluar të përdoret nga influencers për të fituar miliona e miliona euro e dollarë, përmes postimeve të paguara nga markat e ndryshme. Por Instagram i fiton vetë të ardhurat nëpërmjet reklamimit të markave. Prandaj influencers po konkurojnë Instagramin për paratë që bizneset paguajnë për promovim në Instagram. Me fshehjen e likeve, Instagram mendon se gradualisht tërheqja që markat kanë për influencers do të bjerë dhe të paktën një përqindje e parave që u jepen atyre, bizneset t’i përdorin direkt në Instagram.
  3. Për të mirën mendore të njerëzve. Nuk duhet të të shkojë në mend xhelozia dhe inati pse dikush merr më shumë like se ty. E dini që ka njerëz që postojnë diçka, presin 1 orë, shohin se nuk kanë numrin e likeve që prisnin dhe e fshijnë foton? Është e tmerrshme. Nëse ti mendon se po publikon diçka me vlerë, nuk mund të ndryshosh mendim mbi vlerës e asaj vetëm sepse nuk ke marrë X like. Njerëzit thjesht mund ta shohin, e pëlqejnë me vete, por nuk bëjnë like. Ndoshta është momenti që të mbështetemi më shumë tek komentet dhe mesazhet për t’i dhënë feedback njëri-tjetrit dhe jo vetëm me një prekje të dyfishtë në xhamin e smartphone-it.

Të ngjashme