Diferenca e moshës në çift

Prishtinë | 16 Qer 2017 | 20:35 | Nga

Jetëgjatësia e një marrëdhënieje në çift varet nga disa faktorë, ku mosha luan një rol të rëndësishëm. Por në kohën e sotme, në krahasim me një dekadë të shkuar, koncepti për faktorët ndikues ka pësuar ndryshime. I tillë është edhe koncepti për faktorin “moshë”. Në këtë kohë flitet shumë për çiftet që kanë mes tyre një diferencë të madhe moshe. Sidomos kur

është gruaja më e madhe sesa burri, tema bëhet edhe më e nxehtë. Kur çiftet nuk janë njerëz publikë, sigurisht lajmi përhapet e komentohet në rrethin e fisit e të lagjes, sidomos nga njerëzit që i konsumojnë fjalët me uri të madhe e nuk rrinë dot pa u marrë pak me jetët e të tjerëve.

Kur çiftet janë të njohur, është media ajo që bën fjalë, në lagjen e madhe virtuale, ku jetojnë të gjithë. E, pavarësisht lirisë për të dashuruar, nuk mund të themi se njerëzit më të emancipuar të botës së artit apo të televizionit e pranojnë këtë gjë me lehtësi. Femrat, në shumicën e rasteve, priren ta fshehin moshën edhe kur kanë në krah dikë më të madh se vetja e jo më në të kundërtën e kësaj; kur ato janë vetë më të mëdha. Me idenë se mashkulli duhet të dominojë kudo, së pari nisur nga mosha, ne në këtë temë kemi kënaqësi që njohim disa çifte, që kanë qenë ose vijojnë të jenë bashkë, duke tejkaluar një barrierë, e cila nuk perceptohet aspak e tillë prej tyre. Urojmë që të suksesshmit të shërbejnë si shembull pozitiv për të rinj që mund të jenë në pozitat e tyre, ndërsa për ata me më pak fat nuk mund të themi se mosha ka qenë shkaku kryesor i ndarjes. Rasti i fundit, pra ku femra është më e madhe në moshë se partneri i saj janë përhapur mjaft në kohën e sotme, duke thyer kështu konceptin Frojdian, sipas të cilit, “një mashkull gjen te një grua më e madhe në moshë zëvendësuesen e
mamasë së tij”.

Përse ky “trend”?

Lidhur me pyetjen pse një femër zgjedh të krijojë një marrëdhënie dashurie, martesore me një mashkull më të ri se vetja, lidhet me pritshmëritë që ka secili partner në marrëdhënie. Një mashkull mund të zgjedhë të lidhet me një grua më të madhe në moshë, e cila nuk “vuan” nga frika e plakjes, e ndryshimeve biologjike, është e pavarur, e sigurt dhe nuk sheh e frikësuar nga e ardhmja. Një femër zgjedh një partner më të vogël në moshë, me qëllim përjetimin e një “rinie të dytë”, vitaliteti dhe ndjeshmëria, apo për shkak se partneri është i ri dhe i bukur. Kohët e fundit kanë pasur përhapje relativisht të madhe edhe marrëdhëniet ku, midis partnerëve ka një diferencë të madhe moshe, mashkulli mundet
të jetë 10 ose 15 vjet më i madh se partnerja e tij. Edhe këtu “siguria” është një faktor dominues. Në këtë rast për gjininë femër. Në krahasim me
dekadën e shkuar, diferenca moshore është zgjeruar. Femrat në këtë rast zgjedhin partnerë meshkuj që i kanë siguruar të mirat materiale, janë
të sigurt në vetvete dhe e dinë shumë mirë çfarë duan dhe ç’duhet të bëjnë.

Të ngjashme