Nëse ju anulohet apo vonohet fluturimi, ju mund të kërkoni 600 euro dëmshpërblim

Prishtinë | 17 Maj 2018 | 22:10 | Nga

Kush udhëton me avion, sidomos në periudha të ngarkuara siç është gushti, në aeroport mund të ketë të papritura aspak të këndshme: mëson që fluturimi është me vonesë ose është anuluar. Apo më keq akoma, që avioni për të cilin ka biletën në dorë është tashmë plot. Ç’të drejta kemi si udhëtarë? Si të veprojmë për t’u shpërblyer për dëmet e shkaktuara nga shoqëritë ajrore?

Të drejtat e pasagjerëve në rast se nuk u sigurohet marrja e avionit për të cilin kanë paguar, u anulohet apo u vonohet gjatë fluturimi parashikohen në rregulloren evropiane 261 të vitit 2004, në fuqi nga 17 shkurti 2005. Sipas saj, kompania e fluturimeve është e detyruar të informojë pasagjerët e saj për të drejtat që ata kanë kur nisja parashikohet nga një aeroport i BE-së apo kur kompania është evropiane e niset nga një vend jashtë BE-së e ka si vendmbërritje përfundimtare një aeroport evropian.

Rregullorja evropiane njeh të drejta të reja për pasagjerët dhe detyrime për shoqëritë ajrore që në rast overbooking, të anulimit të fluturimit, apo të vonesës prej të paktën dy orësh, duhet t’u japin drejtpërdrejt pasagjerëve lajmërim me shkrim që të përmbajë rregullat për asistencën dhe kompensimin në para të parashikuara nga rregullorja evropiane.

Rregullorja ka të bëjë si me fluturimet e linjës si me të ashtuquajturat charter. Më saktësisht, kjo rregullore i aplikohet çdo vektori ajror (komunitar dhe jokomunitar) që niset nga një vend anëtar i BE-së apo që mbërrin në një vend anëtar. Që pasagjeri të mund të gëzojë mbrojtjen e parashikuar nga rregullorja e sipërpërmendur, duhet të ketë në dorë prenotimin e fluturimit të konfirmuar dhe duhet të jetë paraqitur në aeroport në orarin e treguar me shkrim nga shoqëria ajrore.

Rregullorja parashikon që, në rast të vonesave mbi dy orë, shoqëria ajrore duhet t’u japë pasagjerëve ushqim dhe vend fjetjeje, përveç mundësisë për të kryer falas dy telefonata ose fakse ose email me disa kushte. Në veçanti, kur vonesa është: 2 orë apo më shumë për udhëtime deri në 1.500 km; 3 apo më shumë për udhëtime brenda BE-së mbi 1.500 km dhe për të gjitha udhëtimet e tjera nga 1.500 deri në 3.500; 4 apo më shumë për udhëtimet jashtë BE-së mbi 3.500 km.

Nëse vonesa kapërcen 5 orët, pasagjeri që heq dorë nga udhëtimi ajror mund të kërkojë rimbursimin e biletës.

Gjykata e Drejtësisë së Komunitetit Europian, me sentencën e 19 nëntorit 2009 (C402/07), ka vendosur që dëmet e pësuara nga pasagjerët në rast të anulimit apo të vonesës së zgjatur të udhëtimit ajror janë të ngjashme dhe që nuk është e pranueshme të trajtohen në mënyrë të diferencuar; kështu pasagjerët e udhëtimeve me vonesë kanë të drejtën e kompensimit në para të parashikuar nga rregullorja evropiane kur vonesa është të paktën tre orë, apo kur udhëtarët arrijnë në destinacionin final me të paktën tre orë vonesë mbi orarin e parashikuar fillimisht. Me një fjalë edhe në rastin e vonesave prej të paktën tri orë udhëtari ka të drejtën e kompensimit në para të parashikuar për anulimin e fluturimit.

Kompensimi në para

Përveç asistencës, shoqëria ajrore duhet të japë këto dëmshpërblime për mohimin e

fluturimit, sipas udhëtimit që duhet të bënte (brenda BE-së apo ndërkombëtare) dhe

largësisë në km që duhet të përshkonte:

Për fluturime brenda BE-së deri në 1.500 km, 250 euro;

Për fluturime brenda BE-së mbi 1.500 km, 400 euro;

Për fluturime ndërkombëtare deri në 1.500 km, 250 euro;

Për fluturime ndërkombëtare nga1.500 deri në 3.500 km, 400 euro;

Për fluturime ndërkombëtare mbi 3.500 km, 600 euro.

Nëse pasagjeri zgjedh të marrë një fluturim alternativ, kompensimi në para mund të

reduktohet. Të njëjtat të drejta u takojnë pasagjerëve nëse fluturimi është anuluar.

Dëmshpërblimi nuk jepet nëse:

  1. shoqëria ajrore arrin të tregojë që përgjegjësia e anulimit nuk është e saja, por ka ndodhur për shkak rrethanash të jashtëzakonshme (gjë që duhet të vërtetohet nga vetë shoqëria ajrore)
  1. pasagjeri është informuar për anulimin e fluturimit të paktën dy javë para nisjes apo
  2. pasagjerit i është ofruar mundësia e imbarkimit në një avion tjetër në një orar afër fluturimit origjinal.

Në rastin e sistemimit në një fluturim alternativ, nëse posti është i një klase më të lartë se ai i parashikuar nga bileta e prerë, pasagjeri nuk duhet të paguajë asnjë shtesë; nëse posti është i një klase inferiore, pasagjerit i rimbursohet brenda 7 ditëve një përqindje e biletës, që ndryshon sipas gjatësisë së udhëtimit: 30% për udhëtime deri në 1.500 km, 50% për fluturime brenda BE-së mbi 1.500 km dhe për të gjitha udhëtimet e tjera nga 1.500 deri në 3.500 km, 75% për fluturimet jashtë BE-së mbi 3.500 km.

Ankimet e mundshme duhen bërë fillimisht pranë kompanisë së fluturimeve e nëse kjo nuk përgjigjet për gjashtë javë, autoritetit përgjegjës për aplikimin e rregullores evropiane. Në Itali, ky autoritet është ENAC, Enti Kombëtar për Aviacionin Civil.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme