Një minifund “ngre në këmbë” shtetin mysliman

Prishtinë | 18 Kor 2017 | 12:28 | Nga

Një grua e re me minifund ka shkaktuar debate të ashpra në Arabinë Saudite, ku në fuqi është ligji konservator islamik.

Autoritetet po hetojnë gruan që postoi on-line një video ku dukej teksa shëtiste në publik me minifund dhe një bluzë të shkurtër.

E reja, një modele e quajtur “Khulood”, postoi videon teksa ecte rreth zonës historike në qytetin e Ushayqirit, rreth 155 km në veri në kryeqytetit Riyad.

Videoja shkaktoi debat të nxehtë në median sociale, me disa që kërkonin arrestimin e saj për shkelje të kodit të veshjes së vendit mysliman, ndërsa sauditë të tjerë i dolën në mbrojtje duke e përgëzuar për ‘guximin”.

Gratë në Arabinë Saudite duhet të veshin rroba të lirshme dhe të gjata, të quajtur “abayas”, sigurisht të shoqëruara me shami koke. Ato po ashtu nuk lejohen të nisin makina dhe qëndrojnë ndarazi burrave që nuk i kanë të afërm.

Në lidhje me videon ku Khulood shikohet duke ecur në rrugët e një fortese në Ushayqir, gazetari Khaled Zidan shkroi se “Rikthimi i Haia (policisë fetare) është domosdoshmëri”.

Një tjetër shkruante se “duhet të respektojmë ligjet e shtetit. Në Francë nuk lejohet velloja e fytyrës dhe gratë gjobiten nëse e veshin. Në Arabinë Saudite veshja e abayave dhe veshjeve modeste është pjesë e ligjeve të mbretërisë.”

Mirëpo, shkrimtari dhe filozofi, Wael al-Gassim tha se ai ishte i shokuar të shikonte këto tweete nervoze dhe të frikshme. “Mendova se ajo kishte bombarduar apo vrarë njeri. Lajmi doli të ishte rreth fundit të saj, të cilin ata nuk e pëlqejnë. Pyes veten se si Vizioni 2030 mund të ketë sukses nëse ajo arrestohet”, tha ai.

Shumë të tjerë argumentonin se nëse gruaja do të kishte qenë e huaj, ata tani do të flisnin për bukurinë e saj, por duke qenë se është saudite, kërkohet të arrestohet.

Të hënën, gazeta saudite “Okaz” raportoi se zyrtarët i kishin kërkuar guvernatorit të provincës arrestimin e gruas.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme