Para se të shkoni në Rahovec lexojeni këtë shkrim

Prishtinë | 19 Kor 2016 | 15:37 | Nga

“Bole imit se mirat”, që do të thotë “më mirë shpresa se dëshira”, është një fjali të cilën mund ta hasni në të folurën e qytetit të Rahovecit, e që normalisht nëse nuk jeni nga kjo trevë vështirë se do ta kuptoni. Fjalia e lartcekur është kombinim i katër gjuhëve, respektivisht fjalëve që i takojnë katër gjuhëve: bolje (serbisht), ümüt (turqisht), se (shqip), murad (arabisht).

Për banorët e qytetit të rrushit, është kthyer në temë tabu diskutimi për të folurit e kësaj treve. Të mjafton të thellohesh pak në bisedë dhe ta vëresh se rahovecasit, përveç shqipes, në komunikim e përditshëm në mes tyre e përdorin edhe një gjuhë tjetër.

Disa prej tyre ngurrojnë të flasin për këtë realitet, derisa disa të tjerë sqarojnë se kjo gjuhë që ka një shekull që flitet, është një përzierje e disa gjuhëve.

NDIKIMI I KONTAKTEVE TREGTARE

Ndonëse jo publikisht, banorë të kësaj qyteze kanë treguar për Telegrafin se në Rahovec ende komunikohet në këtë variant gjuhësor.

“Shumica nuk e pranojnë dhe thonë se nuk e flasin, por realiteti është tjetër. Kuptohet, nuk është si më herët, por nuk mund të mohojmë që flitet”, ka thënë një qytetar i kësaj komune.

Për atë se nga buron kjo e folur jepen disa versione, por që sipas vendasve asnjëri prej tyre nuk është i bazuar në ndonjë studim shkencor.

Profesori i gjuhës shqipe në Gjimnazin “Xhelal Hajda-Toni”, Ali Dula, ka theksuar se nuk bëhet fjalë për një gjuhë në konceptin dhe nocionin e një gjuhe – që ka një trashëgimi kulturo-letrare të komunikimit – e as që bëhet fjalë për pasje të normave apo rregullimeve gramatikore.

“Më shumë është një variant i të folurit me miksim morfemash (fjalësh)”, ka thënë ai.

Dula thotë së njëra nga variantet më të dëgjuara, që është nga gurra popullore dhe nuk ka ende ndonjë bazë të ndonjë studimi shkencor për ardhjen dhe depërtimin e kësaj mënyre të të folurit në Rahovec, është ai i ndikimit të tregtarëve bullgarë dhe serbë, të cilët e frekuentonin Rahovecin, i cili dallohej si qendër e rëndësishme tregtare.

“Thuhet se qysh në shekullin XIX, Rahoveci ishte një qendër e njohur tregtare, dhe se tregtia zhvillohej në mes etnive të ndryshme. Ndonëse Rahoveci gjithmonë ka qenë vendbanim me shumicë shqiptare, për tregti aty frekuentonin edhe bullgarët, serbët etj. Disa familje të këtyre etnive joshqiptare, që kanë zënë vend në këtë qytet aso kohe, për ta lehtësuar komunikimin në mes tyre, përdorin morfema mikse (kombinim i fjalëve nga gjuha shqipe dhe nga gjuha e tyre amë), prapëseprapë me dominim te fjalëve shqipe”, ka theksuar ai.

Dula shprehet se gjeneratat e reja bëjnë mirë që nuk e praktikojnë shumë këtë të folur, të cilin ai e quan “një relikt linguistik”.

SHKAQET TJERA QË KRIJUAN “BUGARISHTEN”

Derisa dikush këtë fenomen e tregon përmes historive dhe gojëdhënave, studiuesi Jahja Hondozi, është duke e bërë një studim shkencor për të folurin e Rahovecit.

Hondozi, i cili është asistent në Fakultetin Filologjik, në punimin e tij “Një vështrim rreth së folmes së Rahovecit në aspektin gjuhësor – sociolinguistik”, ka nxjerr në pah faktorët ndikues në depërtimin e kësaj gjuhë në brendi të Rahovecit.

Ai ka thënë për Telegrafin se përmes këtij punimi ka tentuar që ta sjell një këndvështrim të tij në ndriçimin e kësaj të folme, duke shtuar se punën e tij nuk e ka bazuar në emocione, por në hulumtimin e bërë në terren.

Hondozi, në punimin e tij lidhur më të folmen e kësaj treve, thotë se deri më tani janë dhënë disa hipoteza por që, sipas tij, nuk mund të thuhet se janë mbështetur shkencërisht.

Duke sqaruar faktorët dhe rrethanat e shfaqjes së këtij fenomeni, ai thekson se në mbarin të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, kur u shkrua Fjalori i Kujunxhiqit (fjalori serbisht-shqip, 1902), popullsia shqiptare e Rahovecit gjuhë të zakonshme e kishte shqipen krahas një serbishteje, në pika specifike, që e përdorte më fort në marrëdhëniet afariste.

“Në disa rrethana të caktuara, popullsia e lokalitetit të Rahovecit nisi ta përdorë më shumë serbishten, madje në pjesën më të madhe të familjeve edhe në jetën familjare, krahas shqipes, ndonëse shekuj me radhë elementi shqiptar qe absolutisht numerikisht mbizotërues.

Si faktorë që ndikuan në përdorimin e serbishtes së përzier me shqipen, krahas shqipes në lokalitetin e Rahovecit, mund të merren: bashkëjetesa me elementin sllav të lokalitetit dhe shkrirja e familjeve shqiptare në serbe dhe anasjelltas; marrëdhëniet ekonomike të ndërtuara mbi një bazë të strukturës së prodhimit me mbizotërim të vreshtarisë, por me strukturë mbizotëruese shqiptare myslimane të popullsisë e cila i punonte vreshtat; dyndja e popullsisë shqiptare nga thellësitë e Serbisë pas kryengritjes së parë serbe (1804), e sidomos pas Kongresit të Berlinit; prania e një numri mjeshtërish sezonalë serbë; e nga vitet 1918-1941, politika antishqiptare asimiluese e ushtruar në mënyrë të organizuar nga shteti borgjez serb.

Gjatë kësaj periudhe (1918-1941), popullsisë shqiptare i qe mohuar çdo e drejtë kombëtare, përfshirë këtu edhe përdorimin e gjuhës në shkolla e në jetën publike përgjithësisht. Megjithatë, popullsia shqiptare e Rahovecit e ruajti shqipen dhe e kultivoi edhe përmes fjalës së shkruar, siç dëshmojnë shkrimet e sheh Hilmi Maliqit, Shaip Zurnaxhiut etj”, thuhet në punimin e Hondozit.

ETIKETIMI TENDENCIOZ

Nga hulumtimet e bëra nga ai në terren, rezulton se e folmja e Rahovecit është një konservat i përzier, i përbërë nga elemente të ndryshme të disa gjuhëve: shqipe, serbe, bullgare, turke e arabe.

“Është vërtet interesant fakti se si në një hapësirë aq të ngushtë depërtuan elemente gjuhësh të familjeve të ndryshme. ndërkaq, edhe më interesant është fakti se kjo e folur flitet vetëm brenda qytezës së Rahovecit, kurse fshatrat përreth nuk e njohin. Këtu rrjedh edhe ai etiketimi me përçmim për ‘bugarë të Rahovecit’, me bindjen se e folmja e Rahovecit nuk është tjetër pos një derivat i bullgarishtes”, ka konstatuar Hondozi, duke e cilësuar tendecioz dhe të padrejtë këtë etiketim pasi në këtë të folme ka elemente të gjuhëve josllave.

Ai ka thënë se identifikimi, në disa raste, i të folmes së Rahovecit me serbishten nuk është i drejtë, për faktin se “ka elemente të ndryshme shqipe që e demantojnë këtë, siç është prania e madhe e zanores ‘ë’, dhe bashkëtingëllores ‘x’ – të cilat siç dihet nuk ekzistojnë në serbisht”.

E folmja e Rahovecit, përveç leksikut me burim sllav, ka një numër bukur të madh fjalësh arkaike me burim ende të panjohur

“Sikurse janë edhe një numër i madh fjalësh e shprehjesh arkaike që përdoren dendur nga rahovecasit, e që nuk kanë lidhje as me serbisht, e as me ndonjë tjetër gjuhë sllave”, ka theksuar Hondozi.

Sipas studiuesit rahovecas, tendenca për ta identifikuar të folmen e Rahovecit me ndonjërën prej këtyre gjuhëve, buron në radhë të parë nga leksiku i kësaj të folme që, sipas tij, “është e vërtetë se ka burim sllav”.

“Në anën tjetër, në këtë të folme janë rrënjosur prej kohësh edhe mjaft elemente të gjuhëve lindore (fjala është për arabishten, turqishten dhe persishten), gjë që ka rezultuar me formimin e një ‘konzervati të përzier’. Kjo e bën edhe më të ndërlikuar dhe më komplekse këtë të folme”, ka shtuar ai.

FJALËT ARKAIKE QË PO SHUHEN NË RAHOVEC

Sipas studimeve të deritashme të Hondozit dhe punës së tij në terren, ka ardhur në përfundim se e folmja e Rahovecit, përveç leksikut me burim sllav, ka një numër bukur të madh fjalësh arkaike me burim ende të panjohur. Disa shembuj mund t’i lexoni si më poshtë:

Akllagija, baravati, boshqa, bungaja, bagatella, burokva, bërcka, bradavica, (dë) baknësh, cufish, cucalka, cukla, cucuruc, cërcel, cicijash, (mi) dahodi, dizga, (së) dospëlla, digirmi, delbe, ërtëkinja, fiska, fërboz, filqete, fallte, fërfllaza, filka, gop, gullumuq, gërllonja, gukni, gërklan, goblen, gëntëv, guçkë, gubela, ginge, gjol, hinka, hërëçës (shqip orë e çast), hallaquge, hallahusa, hira, (dë su) hakësh, hotëre-hotëre, (dë) hërgne, (dë) haknësh, (së) izvalëja, jajgije, jerdam, jadranke, jurjel, jed, kukllar, kliske, kajl (neje kajl), kole (nemam kole), kanafqe, kalimarka, kopenxh, kuzhël, këjlek, krepseten, klokavica, kërc, loc, lepe, leska, (dë) liknëm, llakërdija, llëngëre-llëngëre, llackuca, (mi) llëcka, llurba, micrak, (dë) matllavish, muqenca, mafes, mervanqe, micolac, murika, micëk, (dë) maqnësh, manqe, miselat, milqe, manga, nëqëv, naqnët, (së) namurija, (së) nadëpnëja, onje, përshëliv, pilim, pilenxhe, pondla, pometliv, papqik, (dë) poxvirnësh, pësëpka, (mi së) përhelli, puzni, paleval, penxir, peshtah, (dë) përkusish, pahalka, pisanka, pristallo, perezh, peke-lepe, (dë) përpllaknësh, pekla, pometliv, qisele, qekërk, qora, qáme, qirik, qërtëtlija, qipka, (dë) qejësh, qatër-patër, qiqibanuz, qirak, quq, qivija, (dë) rëmbësh, razboj, redniqina, (dë) ripësh, rëngaj, (dë) rëstanish, rëcok, rumzgum, rillo, spic, snishte, sedefke, (së) stihnëlla, sëntëraq, shafrak, shtatke, shopa, shtërbëv, shllup, shpicllov, (dë) shllapkësh, shkrëfkaq, (së) shpaki, troshke, (dë së) tishtish, tonjke, (dë) tanish, tunxh, (dë së) teleishësh, truq, tespishta, (dë) teglish, tuca, tërhoz, tëmlik, (dë së) trampish, tuhari, tërpija, tangall, taparec, (mi) ushlemishe, (dë gë) ubalish, (dë gë) upreqish, uvërqkën, usili se! vehto, (ga) vabish, valloga, velam, vërvela, xebem, xola, (dë) xipësh, (dë) xvirkësh, xunx, xunxallo, xërckalica, xunxe, xunxufka, xhilit, xhida, xhiqke, xhumbuz, xhevërxhillo, xhëgërman, xhëvërlá, (dë su) zognësh, zagnijëno, (dë ju) zavarim, zëmëtërlën, (dë ti së) zajazi, zhuq, zhyll, zhelan/zhelajka.

Ai ka theksuar se këto shprehje dhe shumë të tjera janë në zhdukje e sipër pasi gjeneratat e reja ose nuk i përdorin fare – duke i parë si arkaike – ose bëhen pre e tendencës së vetëdijes së popullatës që fëmijët të mësojnë shqip e jo serbisht (siç etiketohet kjo e folme).

“TATARI E MARRTË VESH”

Studiuesi nga Rahoveci ka theksuar se në këtë të folme hasim edhe shumë fjalë orientale, arabe, turke e perse, shumica prej të cilave sipas tij përdoren me kuptimin që e kanë në gjuhën origjinale, ndërsa disa prej tyre përdoren në një konotacion tjetër, si: eksik (tur.), ejvallah (ar), basiret (ar), batall (ar), dakik (ar), devër (ar), helbete (ar), evlija (ar), gjytyrym (tur), gjysterishe (tur), huj (tur), hakaret (ar), hëz (ar), ibret (ar), kopuk (tur), kabila (ar), milun (ar), muhanat (ar), mukajet (ar), maf (ar), syreta (ar), shakija (ar), zavall (ar), teferixh (ar), mahluk (ar), masllahat (ar), marifet (ar), teklif (ar), nasihat (ar), sherbet (ar), hizmet (ar), hyxhym (ar), haber (ar), zarar (ar), zaif (ar), mahsher (ar), zijafet (ar), kijafet (ar), exhel (ar), tabijat (ar), zahmet (ar), milet (ar), katil (ar), gajret (ar), haset (ar), hiqmet (ar), ispat (ar), masraf (ar), lazëm (ar), mesele (ar), rezil (ar.), xhibilijet (ar), shehit (ar), tahmin (ar), terbije (ar), xhahil (ar), fajde (ar), bedel (ar), hise (ar), kabull (ar), basiret (ar), batall (ar), zavall (ar), gidaja (ar), hakaret (ar), hyqymet (ar), ibret (ar), teqmil (ar), mejdan (ar), mazallah (ar), ilet (ar), fursat (ar.), tefter (ar), tallkin (ar), nimet (ar), mahzun (ar).

Samir Abazibra: Kjo e folme, sa herë që është prezantuar te të tjerët, ka shfaqur kureshtje

Ai ka shtuar se elementet shqipe në të folmen e Rahovecit janë gjithashtu evidente, duke shtuar se “përveç përshëndetjeve të zakonshme: mirëmëngjesi, mirëdita e mirëmbrëma, ditën e mirë dhe natën e mirë (të gjitha në shqip), thuhet edhe faleminderit, ndonëse popullata më e moshuar thotë d’imësh – hajr ose bofsh hajr”.

“Banorët e lokalitetit të Rahovecit, gjatë përshëndetjes së tjetrit, përdorin mes tyre shprehje të pastërta shqipe, të tilla, si: ‘Puna e mbarë!’ dhe ‘Mbarë paç’. Është shumë interesant fakti se të gjithë rahovecasit thonë ‘libër’ dhe askush nuk thotë ‘knjiga’. Në rrafshin sintaksor, është i pranishëm gjithmonë përdorimi i lidhëzës ‘se’”, ka theksuar Hondozi.

Sipas tij, kur flitet për të folmen e Rahovecit, është pothuaj e pamundur të anashkalohen shprehjet idiomatike dhe frazeologjike shqipe të cilat përdoren dendur nga rahovecasit, kryesisht nga të moshuarit. Ja disa prej tyre: Hund e buz bashk; e ka lip, e ka gjet; menja malle, zeza kres; Gjysa i del boll; Kadija t’i pastë mendtë; Punë e madhe; Pa prit e pa kujtu; Tatari e marrtë vesh; Zeza vetes; U Zoti mos e boftë; M’i marrshin t’ligat: U përmend e mos u ktheftë: S’din goja me t’kallxu (kur përshkruan gjëra të ndryshme).

RAHOVEC ME NJË PASURI DHE VLERË TË RRALLË GJUHËSORE

Hondozi si studiues dhe si rahovecas ka thënë se këtë fenomen e shoh si pasuri dhe vlerë gjuhësore, dhe material i çmuar për të gjithë ata studiues të rinj që shprehin interesim për t’iu qasur kësaj të folme nga aspekte të ndryshme. “Mendoj se kjo e folme e cila nuk është rrahur gati aspak do të duhej të shërbente si material i çmuar për të çuar më tej studimet në fushën e dialektologjisë e sociolinguistikës”, ka sqaruar ai.

Edhe ish-studenti i Orientalistikës, Samir Abazibra, ka tentuar që ta japë një kontribut modest në zbardhjen e të folmes së Rahovecit. Në punimin e tij të diplomës “Orientalizmi në të folmen e Rahovecit”, ka koncentruar ndikimin e fjalëve orientale në të folmen e qytetit të rrushit.

Mark Krasniqi i cili beson që e folmja e kësaj qytete pasqyron ekonominë tradicionale të verës

Në punimin ai vjen në përfundim se e folmja e Rahovecit ka një historik shekullor, formimin e së cilës, sipas tij, mund ta kuptojmë nëpërmjet përmbajtjes së fjalëve dhe prejardhjes së tyre.

“Vlen të kujtojmë se kjo e folme sa herë që është prezantuar te të tjerët, ka shfaqur kureshtje se si bëhet komunikimi me të. Përveç kësaj, e veçanta është se e folmja e Rahovecit deri më tani flitet vetëm brenda qytetit dhe jo më gjerë, madje as në ndonjërin prej fshatrave përreth”, ka sqaruar Abriza.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme