Pse duhet të dëgjoni Podcaste, siç bëjnë 100 milionë amerikanë?

Prishtinë | 15 Qer 2021 | 23:01 | Nga Ekonomia Online

Podcast është një term që vjen si një fjalë e re e krijuar nga bashkimi i iPod dhe Broadcast. Po çfarë është? Një Podcast është një transmetim i organizuar audiosh të regjistruara. Nëse e dini çfarë është një blog tradicional me artikuj të shkruar që përditësohen sa herë shkruhet diçka e re, podcast është versioni audio i një blogu. Temat mund të jenë nga më të ndryshmet.

Për të dëgjuar, dikush ka nevojë për një smartphone ose një kompjuter, por në ditët e sotme duke qenë se pothuajse kushdo përdor një smartphone, është kjo forma e rekomanduar e dëgjimit për shkak të portabilitetit, dmth mund ta dëgjosh kudo. Gjëja e vetme për të cilën smartphone ka nevojë është shkarkimi i një aplikacioni Podcastesh, si Podcast i Apple, Google Podcast, apo të tjerë si Spotify dhe PocketCast që mund të shkarkohen edhe në iOS edhe në Android.

DISA NGA PËRFITIMET E PODCASTEVE KUNDREJT MEDIAVE TË TJERA JANË:

Ndryshe nga videot e Youtube, Podcastet harxhojnë shumë me pak MB internet dhe nuk ka nevoje per shpejtesi të lartë interneti. Episodet e Podcast mund të shkarkohen dhe të dëgjohen në një moment të dytë edhe pa akses në internet. Gjithashtu, harxhon më pak bateri të smartphone-it tuaj.

Ndryshe nga librat, Podcast nuk të lodh sytë. Po ashtu mund të dëgjohet në lëvizje, ndërsa një libër mund të lexohet vetëm të ulur diku. Prandaj Podcast nëpërmjet një palë kufjeve është perfekt per t’u dëgjuar kur je në makinë apo autobus (fundja është një super mundësi për të qenë produktiv ndërsa pret në trafik), kur je duke ecur për në punë apo shkollë dhe gjatë çdo momenti tjetër të ditës kur nuk je i përqëndruar në diçka që kërkon proces të menduari, si psh duke ngrënë, duke bërë make-up apo duke larë dhëmbët. Pastaj, Podcast nuk ka nevojë për dritë të ndezur dhe mund ta dëgjosh në qetësinë tënde përpara gjumit, edhe nëse e ndan dhomën me dikë tjetër.

Televizori dhe Radio, të cilët mund të kenë edhe programe interesante, kanë dizavantazhin kundrejt Podcasteve, sepse transmetojnë një program live të cilin nuk e përcaktoni ju. Prandaj këto media të përcaktojnë oraret kur jepet një program dhe ti duhet të presësh para televizorit patjetër në atë orë nëse do ta ndjekësh atë program. Podcastin e vendos ti dhe vetëm ti kur e dëgjon. Mund të zgjedhësh momentin më perfekt. Ta lësh përgjysëm dhe ta vazhdosh më vonë. Apo ta përsërisësh disa herë një pjesë të caktuar.

E pra megjithë këto të mira, nuk ka arsye pse të mos provoni një platformë të re që është bërë mjaft trendy në perëndim (në SHBA 30% e popullsisë dëgjojnë rregullisht Podcaste, pra 100 milionë njerëz), sepse ata kanë kuptuar që nuk ka arsye pse të kalojnë orë të tëra joproduktive, kur mund t’i përdorin për të mësuar gjëra të reja, aftësi të reja dhe të marrin ndihmë në lidhje me gjërat që i interesojnë. Në tregun tonë shqiptar, në Shqipëri dhe Kosovë, si në gjthçka tjetër jemi mbrapa edhe në këtë pjesë. Nuk ka asnjë Podcast të vërtetë shqip, por në anglisht mund të kërkoni nëpërmjet aplikacioneve që përmendëm më lart qindra seri me tema nga më të ndryshmet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme