Pse sillen keq të rinjtë?

Prishtinë | 18 Maj 2017 | 23:05 | Nga

Në fakt është një pyetje që duhet t’ja bëjmë vetes ne të rriturit. Teorikisht, është detyra e të rriturit të ndihmojë të parriturin nëpërmjet edukimit, të ndërtojë një sistem vlerash, që e drejton drejt të mirës, respektit ndaj vetes, jetës dhe tjetrit.

Është detyra jonë, që edhe kur rrëzohen e bëhen “pis”, t’i nxisim të mos mbeten “pis”. Por, mesa duket, të rriturit ndonjëherë nuk dinë të ofrojnë ndonjë gjë me vlerë, përveç parave dhe etiketimeve. Është gjëja më e lehtë të zemërohesh edhe pse mund të jetë shumë e drejtë, por nuk është më e mira.

Më e mira është të “vrasim” mendjen për zgjidhje. Por mesa duket ne kemi frikë të “vrasim” mendjen tonë, sepse siç e thotë dhe fjala, ne e perceptojmë të menduarin “vrasje” dhe ky akt të tremb shumë.

Sjellja e të rinjve të sotëm lë shumë për të dëshiruar, por është e njëjta mënyrë të sjelluri të të rriturve pranë tyre. Po të dëgjojmë fjalorin, që përdorim ne të rriturit e moshës së dytë dhe të tretë (femra-meshkuj) në kafene, bilardo apo në rrugë, sidomos kur nuk na shkon ndonjë gjë për shtat, nuk pyesim, me kë jemi dhe ku jemi. Të njëjtën gjë bëjnë edhe të rinjtë, sillen e flasin si të rriturit.

Të ngjashme