Pse thashethemet u pëlqejnë në fakt të gjithëve?

Prishtinë | 02 Gus 2022 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Fundi i dashurisë mes Françesko Totit dhe Ilari Blazit në Itali, është vetëm shembulli i fundit i spikatur. Duam apo s’duam, të gjithëve na pëlqejnë thashethemet. Edhe ata pak njerëz që përpiqen të mos përfshihen në rrjetin e thashethemeve që i rrethojnë, rrezikojnë izolimin.

Po pse ndodh kjo? Informacioni privat për njerëzit e tjerë, është shumë tundues për gati të gjitha qeniet njerëzore. Sipas antropologut Robin Danbar i Universitetit të Oksfordit, thashethemet janë një mekanizëm që shërben për të krijuar lidhje shoqërore, e ngjashme me gjestin e heqjes e morrave tek njëri-tjetri, të praktikuar nga primatët dhe hominidët e parë.

Gjatë këtij momenti, paraardhësit tanë mësuan të dallonin miqtë nga armiqtë, duke e bërë grupin gjithnjë e më të sigurt dhe më kompakt. Ndërsa fisi u zgjerua, nuk ishte më e imagjinueshme që të njiheshin që të gjithë. Më pas, filluam të flasim për ata që ishin shumë larg rrethit më intim.

Dhe ata nuk identifikoheshin më nga vëzhgimi i drejtpërdrejtë, por nga thashethemet që qarkullonin për ta në komunitet. Edhe vetë gjuha, sërsh sipas Danbar, ka lindur për t’i bërëjehonë thashethemeve. Në fiset e të parëve tanë, thashethemet ishin gjithashtu të lidhura në mënyrë indirekte me inteligjencën sociale.

Njerëzit që shfaqnin më shumë kuriozitet mbi jetën e të tjerëve, kishin gjithashtu më shumë aftësi për të ndikuar mbi sjelljen e grupit. Përzgjedhja natyrore, ka favorizuar dukshëm individët më kureshtarë. Edhe sot është e vështirë të gjesh dikë, që nuk ka një minimum interesi për një histori pikante, apo për deklarimin tatimor të një të njohuri të tij.

Gjithsesi, ndryshe nga sa mund të mendohet, aspektet pozitive të thashethemeve janë të shumta. Ndarja e thashethemeve, është dëshmi e besimit tek tjetri, dhe i konsolidon lidhjet shoqërore. Aq sa të jesh i përjashtuar nga rrethi i besimit, nuk është një shenjë e mirë. Pasi do të thotë që nuk je i pranuar nga grupi.

Nga na tjetër, sulmi ndaj reputacionit të dikujt që është më lartë se ne, na bën të ndihemi mirë. Sipas një studimi të Universitetit të Kalifornisë në SHBA, paralajmërimi që na bëjnëmiqtë dhe të njohurit mbi pandershmërinë e të tjerëve, na e lehtëson stresin e përditshëm. Ndërkohë thashethemet, janë një pengesë e shkëlqyer për ata që shkelin ose nuk respektojnë rregullat dhe vlerat e grupit të cilit i përkasin. Ose kush “merr” nga komuniteti, pa dhënë asgjë në këmbim. Psikologët dhe studiuesit e sjelljes, thonë se ndryshimi i pjesshëm ose i plotë i roleve, dhe rivendosja e përkohshme e ekuilibrit të pushtetit, peshojnë shumë tek thashethemet.

Ata që ndihen të pa favorizuar nga fati, mund të lëndojnë ata që kanë më shumë fat ose mund të shohin poshtërimin e tyre. Ata që janë të shëmtuar, do të mëshirojnë ata që janë të bukur por budallenj. Ata që janë të varfër, do të gëzohen nga problemet gjyqësore ose financiare të të pasurve e kështu me radhë, duke rivendosur një barazi të përkohshme tek gjërat e botës,dhe duke e ndjerë këtë si një akt drejtësie.

Nëse dikur objektivat ishin të plotfuqishmit, sot objekt thashethemesh janë edhe yjet e spektaklit dhe personazhet publikë. Për antropologun Zheromn Barkou, studiues i thashethemeve në Universitetin Dalhauzi (Kanada), përveç figurave “superiore”, viktimat e preferuara të thashethemeve janë individët me të cilët ndihemi në konkurrencë, apo që nga pikëpamja evolucionare, kanë një potencial konkurrues.

Të ngjashme