Shqipëria dhe Turqia janë dy shtetet më me pak makina

Prishtinë | 11 Kor 2017 | 12:19 | Nga

Edhe në vitin 2016 Shqipëria pati numrin më të ulët të automjeteve për 1 000 banorë në Evropë, duke lënë pas vetëm Turqinë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Transportit, në fund të vitit 2016 numri i automjeteve për 1000 banorë në Shqipëri ishte 138.4. Para nesh janë të gjitha vendet e rajonit. Maqedonia ka mbi 190 automjete për 1000 banorë.

Sipas Eurostati (që i referohet vitit 2015) mesatarja e BE është 497 makina për 1 000 banorë. Në mesin e të gjitha shteteve anëtare të BE-së, Luksemburgu kryesoi listën me 661 vetura për 1 000 banorë, pasuar nga Malta (634 makina), Italia (610 vetura) dhe Finlanda (590 makina).

Në anën tjetër të shkallës, numri më i ulët i makinave për 1000 banorë u regjistrua në Rumani (261 makina), Hungari (325 makina), Letonia (345 makina) dhe Kroacia (358 vetura).

Sipas të dhënave nga Ministria e Transportit, Në Shqipëri në vitin 2016 ishin të regjistruara 563,106 mjete rrugore, por një pjesë e madhe e tyre janë jashtë funksionit, teksa procedurën e kontrollit teknik dhe pagesën e taksave të përcaktuara me ligj, e kanë kryer gjithsej 401,499 mjete rrugore.

Numri i mjeteve për frymë është një matës i zhvillimit të ekonomisë. Institucionet financiare janë të pritura të masin zhvillimin e hershëm nga ecuria e importeve dhe blerjeve të makinave.

Por në Shqipëri pavarësisht se në vitet e fundit zhvillimi i teknologjisë dhe futja e normave të reja mbi sigurinë e mjeteve kanë përparësi në prodhimin e mjeteve të reja me qëllim rritjen e sigurisë për drejtuesit e mjeteve, parku i mjeteve ekzistues vazhdon që të dominohet nga mjetet e përdorura, të cilët nuk i përmbahen kushteve minimale të sigurisë.

Mbi 95% e veturave në treg blihen të përdorura. Sipas INSTAT, që prej vitit 2013, në Shqipëri importohen mesatarisht 30-40 mijë makina, ku rekordin e ka shënuar 2013, me rreth 44 mijë të tilla. Por, të dhënat e vitit 2013 nga Drejtoria e Transportit Rrugor tregojnë se nga 44 mijë makina të importuara gjithsej, 80% e tyre ishin më të vjetra se 10 vjet.

Ministria e transportin ka pranuar faktin se disa mjete janë nën parametrat normale të sigurisë.

Megjithëse sipas statistikave të aksidenteve me pasoja, mjeti është përbërësi që mund të quhet në më pak raste shkaktari i aksidentit, siguria e mjetit është një faktor i rëndësishëm për sa i takon seriozitetit të pasojave si për drejtuesin e tij, po ashtu dhe për përdoruesit e dobët të rrugës si këmbësorët apo çiklistët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme