U desh “izolimi” nga Coronavirusi që pandat të çiftoheshin pas 10 vitesh përpjekjeje

Prishtinë | 07 Pri 2020 | 17:06 | Nga Ekonomia Online

Izolimi i njerëzve në botë, i ka dhënë më shumë liri pandave gjigante, të cilët duket se kanë patur nevojë për privatësi për t’u dashuruar.

Ying Ying dhe Le Le, janë dy arinj panda që jetojnë prej vitesh në kopshtin zoologjik të Hong Kong-ut. Përgjegjësit e kopshtit zoologjik thonë se pas 10 vitesh përpjekje nga ana e tyre, arinjtë më në fund ja kanë dalë të çiftohen.

“Ky proces natyral që ndodhi sot na bëri të gjithëve shumë të lumtur, pasi rrit shpresën për një shtatzëni përmes çiftimit natyror dhe jo ndërhyrjeve artificiale.

Çfarë i bëri arinjtë të afroheshin me njëri tjetrin pas 10 vitesh ishte pikërisht koronavirusi! Që nga koha e përhapjes së pandemisë në Kinë, parku u mbyll për vizitorët. Aty nga fundi i janarit stafi nisi të vërejë ndryshime në sjelljen e pandave. Ata luanin më shumë me njëri tjetrin në ujë dhe ishin të afërt si kurrë më parë.

Tani, i gjithë kopshti zoologjik është në pritje të një shtatzënie. Një bebe panda është ajo që duan të gjithë, pasi ekzistenca e pandave sa vjen dhe bëhet më e kërcënuar. Sipas Ocean Park, kanë mbetur vetëm 1800 panda në habitatin e tyre natyral.

Nëse Ying Ying është shtatzënë do t’i duhet një periudhë nga 72 deri në 324 ditë për të sjellë bebushin panda në jetë. Asgjë më shumë se kaq s’do ta gëzonte kopshtin zoologjik. (Burimi: CNN)

Të ngjashme