Zbulimi i baktereve që mund të shpëtojë pikturat antike

Prishtinë | 05 Jan 2019 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Zbulohen bakteret restauruese, në gjendje të luftojnë mikroorganizmat që kolonizojnë dhe degradojnë pikturat antike.

Këto baktere që janë zbuluar nga studiuesit e Universitetit të Ferraras, janë eksperimentuar kundër “vandalëve” mikroskopikë që kishin sulmuar “Incoronazione della Vergine” (Kurorëzimi i Virgjëreshës) nga Carlo Bononi, një pikturë me bojëra vaji e shekullit XVII që u dëmtua për shkak të tërmetit të vitit 2012.

Rezultatet e këtij kërkimi u publikuan në revistën “Plos One” nga grupi i drejtuar nga mikrobiologia, Elisabetta Caselli.

Duke kombinuar teknikat me mikroskop dhe mbjellje bakteriale, studiuesit zbuluan se mikroorganizmat që dëmtojnë veprat e artit tërhiqen kryesisht nga disa pigmente që ishin përdorur në pikturë si llaku i kuq apo dheu i kuq dhe i verdhë.

Për të luftuar veprimin e tyre, studiuesit prodhuan një përbërje biologjike që përmban sporet e tre llojeve të ndryshme bakteresh (Bacillus subtilis, Bacillus pumilus, bacillus megaterium).

Testet e zhvilluara treguan se këto baktere janë të efektshme në bllokimin e shtimit të baktereve dhe kërpudhave që që prekin pikturat.

Nëse vërtetohet se këto baktere janë të sigurta që të hidhen direkt mbi veprat e artit, mund të sjellin një revolucion në fushën e restaurimit të pikturave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme