12 ushqime për një qumësht më të mirë për bebet tuaja

Prishtinë | 28 Qer 2023 | 23:55 | Nga Ekonomia Online

12 super ushqime për një qumësht më të mirë për bebet tuaja

1 – Salmoni

Nuk ka ushqim perfekt, por salmoni është shumë afër tij për vlerat ushqyese që ofron. Ashtu si peshku i kaltër dhe sardelet, salmoni është shumë i pasur me një lloj yndyre të quajtur DHA. Kjo e fundit është vendimtare për zhvillimin e sistemit nervor të fëmijës. Qumështi i gjirit përmban DHA, por niveli i tij është më i lartë te gratë që e marrin këtë lloj yndyre përmes ushqimit.

2 – Qumështi dhe nënproduktet e tij

Qumështi dhe nënproduktet e tij janë pjesë e rëndësishme e dietës së nënave që ushqejnë foshnjat me gji. Janë burim i vitaminave D dhe B. proteinave si dhe furnizuesit më të mirë të kalciumit. Përpiquni të përfshini të paktën tre gota me qumësht në ditë në dietën tuaj.

3 – Mishi i viçit

Nënat që ushqejnë foshnjat me gji kanë nevojë për një sasi ekstra të proteinave dhe vitaminës B12. Mishi i viçit është një burim i shkëlqyer i tyre.

5 – Bishtajoret

Fasulet janë të pasura me hekur, veçanërisht ato me ngjyrë të zezë apo të kuqe. Për nënat që ushqejnë bebet me gji, sidomos për vegjetarianet bishtajoret janë furnizuese shumë të mira të hekurit dhe proteinave me origjinë joshtazore.

5 – Boronicat

Përveç shijes së mrekullueshme boronicat janë të pasura me vitamina, minerale dhe karbohidrate të shëndetshme, të domosdoshme për furnizimin e trupit me energji. Rekomandohet që nënat e reja të konsumojnë 2-4 racione me fruta në ditë.

6 – Orizi kaf

Drithërat integrale, si orizi kaf, sigurojnë sasinë e duhur të energjisë që nevojitet për të prodhuar qumësht me cilësi të lartë për foshnjen.

7 – Portokallet

Janë burim energjie. Sasia e lartë e vitaminës C që ato përmbajnë i bën portokallet dhe agrumet e tjera një ushqim shumë të mirë për gratë shtatzëna por mbi të gjitha për nënat që ushqejnë foshnjet me gji. Këto të fundit kanë më shumë nevojë për vitaminë C.

8 – Vezët

Vezët janë shumë të mira për të plotësuar nevojat e përditshme me proteina. Vitamina D, që ato përmbajnë shërben për të forcuar kockat e nënës së re dhe ndihmojnë për një zhvillim të mirë të kockave të bebes. Dy vezë në ditë (nga pula të rritura natyralisht), të ziera në mëngjes, në sallatën e drekës, apo omëletën e darkës do të ishin të mjaftueshme.

9 – Buka e zezë

Buka e zezë dhe drithërat e papërpunuara e furnizojnë organizmin me një dozë të shëndetshme të fibrave dhe hekurit.

10 – Perimet jeshile

Spinaqi, lakrat e egra dhe brokoli janë të pasura me vitaminë A, e cila është e mirë për nënat dhe bebet e tyre. Nuk mbaron këtu, pasi ato janë gjithashtu një burim i mirë i kalciumit, vitaminës C dhe hekurit. Perimet jeshile përmbajnë antioksidantë për një zemër të shëndetshme dhe kanë pak kalori.

11 – Drithërat e plota

Për të përballuar netë të shumta pa gjumë, drithërat e plota janë një ushqim i mirë për nënat e reja për ta nisur me energji ditën. Të kombinuara me qumësht pa yndyrë, boronica, etj, drithërat e plota janë një minierë vitaminash dhe lëndësh ushqyese.

12 – Uji

Nënat që ushqejnë foshnjat me gji janë veçanërisht të rrezikuara nga dehidratimi. Për të patur nivelet e duhura të energjisë dhe qumështit duhet të jeni të hidratuara duke pirë shumë ujë, lëngje frutash apo qumësht. Kini kujdes kur bëhet fjalë për pijet me kafeinë, si kafeja apo çaji. Reduktoni konsumimin e tyre ose zgjidhni ato pa kafeinë. Kjo e fundit përmes qumështit të gjirit kalon te fëmija dhe mund t’i shkaktojë nervozizëm dhe gjumë të keq.

Të ngjashme