4 sekrete nga njerëzit e zgjuar

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 19:37 | Nga

Cilat janë sekretet e personave të mençur? Ndiqni këshillat tona mbi personat e zgjuar e të pjekur, pasi përveç rrugëtimit që kanë bërë për të arritur sa më shpejt qëllimet e tyre në jetë, janë një aset i vyer nga të cilët kemi çfarë marrim…

Kur flitet për mençurinë, kush ju vjen në mendje? Përgjithësisht, tendenca kryesore, kur mendoni për një njeri të mençur, është ta dalloni nga disa karakteristika të zakonshme: të zotë, të sjellshëm, të pjekur dhe të njëfarë moshe! Dikush që në jetën e tij ka kaluar përvoja të ndryshme dhe të rëndësishme dhe që ka një vizion të qartë të gjërave.

Por edhe një njeri më i ri në moshë mund të jetë i mençur! Sepse mençuria, e përcaktuar si një tërësi cilësish konjitive, reflektive dhe mirëkuptuese, nuk është veçori vetëm e të moshuarve, duke qenë se është një cilësi që mund të mësohet. Këto të dhëna vijnë nga Monika Ardelt, profesoreshë sociologjie në Universitetin “Gainesville” në Florida. Studimi i saj ka treguar që meshkujt dhe femrat e mençura shijojnë mirëqenie më të madhe me kalimin e moshës, sepse janë më në gjendje të përballojnë sfidat e jetës, si: shëndeti në rënie dhe humbja e njerëzve të dashur.

Por cilat janë sekretet e personave të urtë? Kemi përzgjedhur disa cilësi që kanë personat e urtë, përveç rrugëtimit që kanë bërë për të arritur sa më shpejt qëllimet e tyre në jetë.

1. Kanë përvojë mbi supe

Arsyeja pse thuhet shpesh se urtësia vjen me moshën është sepse njerëzit e pjekur kanë tendencën të kenë pasur më shumë përvoja jete krahasuar me të rinjtë. Përvoja është një nga themelet e urtësisë.

2. Janë sfungjer

Nuk janë vetëm përvojat që ju bëjnë të mençur, por fakti që mësoni nga to. Jo të gjithë njerëzit e kanë këtë dhunti. Çelësi është të mësoni nga eksperiencat që kaloni në jetë në çfarëdolloj vendi që të ndodheni, si në qytetin ku keni jetuar gjithmonë, si në një qytet nga ana tjetër e botës.

3. Njerëzit e pjekur dinë të dallojnë të mirën nga e keqja

Pas botimit të një artikulli në New York Times mbi marrëdhënien mes moshës dhe urtësisë, Ardelt ka deklaruar: “Njerëzit e mençur dinë shumë, por gjëja më e rëndësishme nuk është se dinë më shumë rreth diçkaje, por ia njohin realisht kuptimin më të thellë gjërave, që janë përgjithësisht të dukshme.” Për shembull, e dimë se një ditë do të ndërrojmë jetë. Njerëzit e pjekur kanë një mirëkuptim më të mirë rreth kësaj gjëje dhe jetojnë në mënyrë të ndryshme, duke i vënë theksin marrëdhënieve, spiritualitetit dhe rritjes personale, më shumë se sa në aspektin sipërfaqësor për të arritur suksesin në jetë.

4. Janë tolerantë

Mirëkuptimi është një përbërës thelbësor i zgjuarsisë e pjekurisë mendore. Ja sepse reflektimi është shumë i rëndësishëm. Ju ndihmon të shihni veten ashtu siç jeni realisht, me limitet e difektet tuaja, në mënyrë që të hyni në empati me të tjerët dhe të veproni po në mënyrë tolerante e mirëkuptuese.

Të ngjashme