Aktiviteti fizik, çelësi i suksesit

Prishtinë | 26 Jan 2024 | 01:15 | Nga Ekonomia Online

Sa më shumë të reja zbulon shkenca për të jetuarit shëndetshëm, aq më shumë forcohet ideja se që të jesh në formë, mendërisht e fizikisht, duhet të lëvizësh sa më shumë. Sipas një studimi të kohëve të fundit, edhe nëse qëndron në karrige për një kohë të gjatë, pak orë ecje në javë do të mjaftonin për formë të mirë fizike.

Studimi i kryer nga shkencëtarë në Britaninë e Madhe dhe Australi ka bërë disa zbulime interesante. Pikë së pari, jo të gjitha mënyrat e të qëndruarit ulur sjellin të njëjtat pasoja.

“Ajo çka jemi duke bërë teksa jemi ulur, është e rëndësishme për studimin, sepse njerëzit thuajse kurrë nuk rrinë thjesht ulur, por janë duke bërë diçka tjetër në të njëjtën kohë. Ulen për të punuar, për të parë televizor, për t’i dhënë makinës dhe deri në njëfarë pike, ndikimi që ka të qëndruarit ulur te shëndeti varet edhe nga ajo çka jemi duke bërë paralelisht, ” thonë studiuesit.

Këto studime tregojnë se të qenit i shëndetshëm ka më tepër lidhje me atë që bën pas një dite të gjatë ulur në karrige.

“Stili i të jetuarit ka shumë elemente, nuk është vetëm “të qëndruarit ulur”. Për ata që merren me aktivitet fizik madje, ky është ndoshta një detaj i dorës së dytë. Por nuk duhet të harrojmë se realiteti dëshmon se jo shumë njerëz janë fizikisht aktivë. Pjesa dërrmuese ushtrohet pak dhe është pak aktive.”

Studimi doli në përfundimin se, qoftë edhe pak minuta ushtrime në javë veprojnë si kundërpeshë ndaj të qëndruarit ulur gjithë ditën.

“Duhet të theksojmë se ata që morën pjesë në këtë studim ishin punonjës zyre shumë aktivë fizikisht, që bënin afërsisht 45 minuta ecje në ditë. Kjo është shumë dhe ndoshta është pikërisht ky nivel i lartë aktiviteti fizik që i ka mbrojtur ata nga diabeti. Në këto raste, të qëndruarit ulur për shumë kohë nuk përbën më një poblem shqetësues, “citon VOA.

Grupi i shkencëtarëve doli në përfundimin se të ndejturit ulur nuk është problemi i vërtetë, por është mungesa e aktivitetit fizik ajo që vret përafërsisht pesë milionë njerëz në vit. Ndaj, nëse do që të mbrosh shëndetin, sigurohu të lëvizësh në ato momente kur nuk je i detyruar të rrish ulur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme