Çaj mali me limon dhe mjaltë, fuqia e natyrës kundër të ftohtit

Prishtinë | 17 Pri 2024 | 19:45 | Nga Ekonomia Online

Aroma dehëse e çajit të malit, bashkuar me aromën fantastike të freskët të limonit dhe atë hyjnore të mjaltit janë padyshim ndjellëse të shijes. Por, vlerat e tyre shëndetësore të bashkuara në një recetë të vetme janë të jashtëzakonshme për shëndetin.

Një filxhan çaj mali i ngrohtë me limon dhe mjaltë zbut dhe qetëson gjithë organizmin duke ofruar vlera të panumërta kuruese.

Kjo është kura e vjetër natyrale dhe popullore e gjysheve dhe stërgjysheve të cilat në ditët dhe netët e ftohta të dimrit mbanin përherë mbi sobë një ibrik me çaj mali gati për ta shërbyer për gjithë familjen.

Që në gllënkën e parë të këtij çaji fantastik ndjen se si kjo superfuqi natyrale ngroh menjëherë organizmin dhe çliron trupin, ndihmon në lehtësimin e fytit, si dhe zbutjen e kollës gjithashtu, ashtu siç lufton gripin dhe të gjitha komplikacionet që sjell i ftohti.

E përgatitur me tre nga përbërësit më të fuqishëm të natyrës – çaj mali, mjaltë dhe limon – më shumë se sa një çaj, kjo pije është zëvendësuesi i shkëlqyer i çdo lloj medikamenti në lehtësimin e problemeve shëndetsore që na prekin nga i ftohti dhe dimri.

Çaji me fuqitë e një mali për shëndetin

Çaji i malit është aset që natyra i ka dhuruar njeriut për ta ndihmuar në mirëqenien e organizmit.

Ai ndikon për një tretje shumë të mirë, ndërsa lufton alergjitë, astmën, dhimbjet e kokën dhe sinozitin.

Çaji i malit ka një fuqi të jashtëzakonshme gjithashtu në trajtimin e sëmundjeve të të ftohtit. Gripi, dhimbjet e fytit, kolla apo dhimbjet e kraharorit trajtohen më së miri përmes çajit të ngrohtë të malit.

Limoni, mbreti i të gjitha agrumeve në vlera

Jo më kot cilësohet si fruti i jetëgjatësisë. Limoni është një pasuri vlerash të çmuara për shëndetin.

Vetitë kuruese të tij janë të fuqishme falë vitaminave C dhe P, të cilat i bëjnë efektet shëruese të limonit të menjëhershme për organizmin e njeriut.

Lëngu i limonit është fantastik kundër etheve të të ftohtit, gripit dhe ndërlikimeve që sjell ai për trupin.

Limoni ndikon në uljen e temperaturës, forcon imunitetin dhe lufton virozat.

Mjalti, nektari i natyrës për njeriun

Është cilësuar ndër shekuj si nektari i perëndive, derisa vijon të jetë i tillë edhe sot. Mjalti ka një përdorim të gjerë dhe jo vetëm si ëmbëlsues.

Përpara shpikjes së antibiotikëve, mjalti përdorej gjërësisht për të trajtuar plagët apo djegiet e lëkurës. Ai është përdorur edhe për të zbutur kollën ose si maskë lëkure.

Që në kohët e lashta, mjalti konsiderohej si një ushqim i rëndësishëm për atletët dhe njerëzit që kryenin aktivitete fizike.

Mjalti përmban sasi të vogla proteine, folati, vitamine C dhe vitamina të tjera të rëndësishme.

Vlerat më domethënëse të mjaltit vijnë nga mineralet që ai përmban.

Receta si ta përgatisni këtë çaj në shtëpi

Përbërësit:

Një grusht me çaj mali

Një lugë çaji mjaltë

Dy lugë gjelle lëng limoni

Një filxhan çaji ujë

Përgatitja

Si fillim zjejmë ujin. Në ujin e nxehtë hedhim çajin e malit dhe e lëmë të ziejë deri në 10 minuta.

E heqim nga zjarri dhe e hedhim në filxhan. Më pas, hedhim lugën e mjaltit dhe lëngun e limonit. Çaji pihet kur është i ngrohtë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme