Dënimi duhet ta bëjë fëmijën të mendojë dhe jo të ndihet i keq

Prishtinë | 23 Mar 2018 | 22:00 | Nga

Ndëshkimi duhet të jetë i përcaktuar në kohë dhe secili veprim u bë shkak të merrte këtë dënim. Fëmijës i duhet treguar me fjalë dhe veprim, që ndëshkohet veprimi dhe jo ai, fëmija. Të rritur, mos e harroni, fëmija po rritet dhe shumë veprime edhe pse mund të bëhen me qëllim, nuk janë për të bërë keq, por për të tërhequr vëmendjen se është keq.

Fëmija nuk duhet lënë nën trysninë e fantazisë së manipuluar nga dyshimi dhe ndjenja e fajit. Pikëpyetjet e tij janë pa fund: -çfarë bëri, pse ishte kaq e keqe ajo që bëri, a është djalë apo vajzë e keqe dhe më e rënda, a do ta duan më? I rrituri, po i tregoi se veprimi që kreu nuk e lejon të bëhet i zoti dhe i mirë, siç kërkon dhe ai vetë, fëmija do të përpiqet, po vetë, të mos e përsërisë më.

Dënimi duhet ta bëjë fëmijën të mendojë dhe jo të ndihet i keq dhe të ngecet në ujrat e dyshimit. Tmerri i dyshimit, është shumë i njohur dhe i studiuar mirë, në të gjitha moshat. Dëmi i tij është i pallogaritshëm, sidomos në fëmijëri, prandaj specialistët insistojnë që fëmijës i duhet treguar dhe folur, për çdo gjë që do t’i ndodhë dhe përse po i vendoset ky kufizim.

Fëmija duke mos qenë i qartë, ai dyshon për gjithçka, “që është i keq”, që “nuk e duan” dhe, që “është i pazoti”. Kur fëmija e ka të qartë se përse po ndëshkohet, kupton se ka disa gjëra, që janë në dorë të tij dhe ai mund t’i evitojë që të mos gjendet në telashe. Kështu fëmija mëson “përzgjedhjen” dhe “rëndësinë” e veprimeve. Mendoj se çdo prind do të dëshirojë që fëmija i tij të përvetësojë këto vetitë e fundit. Me pak durim dhe një shpjegim të thjeshtë nga ana e prindërve, fëmija mund të përfitojë ose jo nga ndëshkimi.

Të ngjashme