Elon Musk prezanton çipin që lidh trurin me kompjuter

Prishtinë | 17 Kor 2019 | 15:53 | Nga Ekonomia Online

Kompania neuroteknologjike, Neuralink, e themeluar nga moguli Elon Musk ka ardhur me një njoftim publik duke zbuluar disa çipa fleksibilë që mund ta lidhin trurin e njeriut në mënyrë të drejpërdrejtë me kompjuter.

Kjo teknologji synon t’iu ndihmojë personat paraplegjikë që t’i kontrollojnë kompjuterët përmes disa impianteve në trurin e tyre, dhe në të ardhmen mund ta përmirësojë në mënyrë të konsiderueshme mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe komunikojnë, shkruan The Independent.

Musk gjatë një ngjarjeje në San Francisko ka thënë se ky çip do të ndihmojë në “ruajtjen dhe rritjen e trurit tonë” dhe që “përfundimisht të arrijë një lloj simbioze me inteligjencën artificiale”.

Polimati dhe miliarderi jug-afrikan e kishte themeluar këtë kompani të fushës neuroteknologjike në mënyrë që t’i vendosë njerëzit në një nivel me kompjuterët duke iu kundërvënë përfundimisht asaj që nga shumë përceptohet si rrezik ekzistencial i shfaqur nga inteligjenca artificiale, vijon mediumi britanik.

“Pas zgjidhjes së disa sëmundjeve të lidhura me tru, do të krijojë një të ardhme të mirë-rreshtuar”, ka thënë Musk.

Gjatë prezantimit, Musk duket se aksidentalisht e ka zbuluar që ky sistem tashmë po testohej në majmunë, që kishin “kontrolluar një kompjuter duke e përdorur trurin e tyre”.

Megjithatë, ka shumë pak detaje që janë dhënë për këtë projekt që kur ishte themeluar më 2016 nga Musk, i cili shpesh kishte aluduar që qëllimi i tij ishte që të ndërtojë një “rang të lartë frekuencash” për të lidhur trurin e njeriut me kompjuter.

Një teknologji nevojitet për njerëzit që të jenë në hap me avancimet e shpejta të inteligjencës artificiale, sipas Musk.

Nëse nuk ndërtohen, Musk beson që njerëzit mund të mbesin aq prapa sa që makinat eventualisht do t’i shohin njerëzit ashtu siç njerëzit i shohin kafshët e tyre shtëpiake.

Kjo kompani e ka krijuar një sistem robotik për të implantuar disa fije në tru dhe shpreson që procedura do të jetë po aq efikase sa operacionet laserike të syve.

Ky çip i vogël lidhet në tru përmes këtyre fijeve që janë më të holla se qimet e njerëzve dhe sytë tanë mezi i shohin.

Ideja e zgjerimit të aftësive njerëzore përmes teknologjisë, që nga disa quhet transnjerëzim,shpesh mbetet vetëm brenda kufijve të fantashkencës, mirëpo Neuralink po planifikon që t’i nisë testimet klinike të kësaj teknologjie hiç më larg se vitin tjetër.

Të ngjashme