Fuqia e intuitës së femrës

Prishtinë | 28 Gus 2017 | 11:10 | Nga

“Intuita e një femre është shumë më pranë së vërtetës, se sa siguria e një mashkulli” – Rudyard Kipling

Ndoshta po mendoni se tema e intuitës nuk ka asgjë shkencore, që nuk është madje as një disiplinë që duhet marrë në konsideratë. Por nëse ndalemi një çast për të menduar, do të kuptojmë se shumicën e vendimeve tona i marrim në mënyrë pothuajse të pandërgjegjshme. Jo vetëm: studime të shumta mbështesin idenë që para se ndërgjegjja jonë të vlerësojë objektivisht një mundësi me po-të dhe jo-të e saj, pjesa e pandërgjegjshme e trurit tonë e ka marrë vendimin duke u bazuar tek intuita. Përse ndodh kjo?

Bazohemi më shumë te ndjenjat sesa te racionaliteti? Në të vërtetë është tamam kështu. Intuita, parandjenja, shqisa e gjashtë, janë të gjitha sinonime për të përshkruar tentativën e njeriut për ta drejtuar vëmendjen drejt një fakti të caktuar, një rrethane, mbi çdo gjë apo person, për të kuptuar pa asnjë gabim të vërtetën.

INTUITA DHE TRURI I PANDËRGJEGJSHËM

Marrim një shembull të thjeshtë. Një familjar i juaji ndihet pa qejf nga një sëmundje me shenja të çuditshme, që e bëjnë të vështirë përcaktimin e një diagnoze. Shkoni te specialisti, që ju vë përballë dy mundësive: të vendosni të dhënat në një kompjuter shumë të sofistikuar, i cili do t’ju tregojë më pas hapat që duhet të ndiqni për të kuruar të afërmin tuaj ose t’i besoni mjekut me karrierë të gjatë dhe përvojë të madhe. Cilën mundësi do të ndiqni? Sigurisht që do të preferoni mjekun. Ndonjëherë nuk na shërben fare një inteligjencë e bazuar mbi analizën dhe logjikën: i besojmë më shumë “intuitës” për mjekun, i cili nëpërmjet vëzhgimit, përvojës dhe ndjesive rreth kësaj çështjeje do të japë një zgjidhje. Tani, mendoni për ato herë kur, papritmas, ju ka lindur një ide, një projekt, një plan…

Jeni në shtrat dhe papritmas, pothuajse nga hiçgjëja vjen ajo ndjesia e paparashikuar. Jeni të çlodhur dhe truri ju dhuron një imazh të papritur. Nga doli kjo gjë? Nuk bëhet fjalë fare për një arsyetim logjik e të peshuar mirë: është më shumë një ndjesi, një intuitë që del papritur nga pjesa e pandëgjegjshme e trurit. Por nga se është i përbërë truri i pandërgjegjshëm? Pikërisht këtu qëndron esenca e vërtetë e pyetjes. Intuitat dalin nga përvojat e magazinuara në tru, nga gjithçka që kemi përjetuar në jetë, qofshin këto suksese apo dështime. Është aty vendi ku ndodhen ndjenjat dhe personaliteti ynë, por mbi të gjitha aty ndodhet esenca jonë e vërtetë.

RËNDËSIA E INTUITËS

Intuita është një përgjigje e shpejtë që truri na jep kur ndodhemi përballë një dileme apo pavendosmërie në përditshmërinë tonë. Nëse do të bënim një sforcim logjik, duke plotësuar analiza racionale sa herë që jemi të dyzuar, do të kemi nevojë për më tepër kohë dhe energji. Për më tepër, idetë tona janë emotive, ose “i ndjejmë” dhe shumë pak herë i analizojmë nëpërmjet mendimit të peshuar fort në mendje. Në fakt, këto dimensione i shtyjnë shumë ekspertë të fushës të hetojnë e studiojnë se si është e mundur që agjentët që lëvizin fijet e ekonomive të mëdha arrijnë të marrin vendimet e tyre në punë.

Ndoshta edhe ata udhëhiqen nga ndjenjat dhe interesat pa vënë në punë logjikën për të marrë vendime. Në këtë pikë, mund të pyesim, nëse është pozitive apo jo ta lëmë veten të udhëhiqemi nga intuita. Jeta jonë është plot me momente të tilla, ku zemra na ka bërë të ndjekim një rrugë apo një tjetër… Duhet vetëm të themi se këto vendime të pandërgjegjshme, janë ngushtësisht të lidhura me atë çka jemi, me personalitetin dhe me vlerat tona. Intuita është ajo shkëndija elektrike që i jep dritë jetës sonë për të na udhëhequr. Është e mjaftueshme ta dëgjojmë, ta ndjekim!

Sipas ekspertëve, intuita më e mirë zakonisht shfaqet në momentet e relaksit, kur mendja është më e kthjellët dhe e çlodhur. Frymëzimi dhe idetë e mira shfaqen vetë gjatë natës, larg stresit dhe tensioneve. Duhet vetëm të dimë t’i dëgjojmë.

PËRMIRËSONI PERCEPTIMIN

Ne mund të kuptojmë e perceptojmë rrethanat dhe ngjarjet në mënyra të ndryshme nëpërmjet perceptimit të drejtpërdrejtë, nëpërmjet asaj çka kuptojmë nga të tjerët dhe nëpërmjet intuitës. Perceptimi i drejtpërdrejtë na ndihmon qartësisht me situatën.

Ndërsa ajo çka kuptojmë nga të tjerët na lejon të marrim informata të përgjithshme, të cilat jo gjithmonë i përkasin së vërtetës, si dhe na përballin me rrezikun e informacioneve jo të sakta. Perceptimi i drejtpërdrejtë mund të jetë i besueshëm, me kusht që mendja të jetë e lirë nga paragjykimet dhe të reflektojë në harmoni mbi atë që është parë e dëgjuar, ndërsa mendimet që krijojmë nga të tjerët, ato indirekte, nuk janë të çliruara nga paragjykimet.

Ndaj këshilla jonë është: mos krijoni mendime, vlerësime apo këndvështrime duke u bazuar në faktet që ju referojnë të tjerët. Ajo që perceptojmë mbi ngjarjet dhe rrethanat, provokon te ne reagime që gjenerojnë mendime dhe veprime.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme