Izolimet kanë dobësuar aftësitë e të folurit dhe të gjuhës te fëmijët

Prishtinë | 28 Pri 2021 | 18:02 | Nga Ekonomia Online

Studimi i Fondacionit të Ndihmave për Arsim në Britaninë e Madhe ka sugjeruar se masat e zbatuara për frenimin e përhapjes së koronavirusit i kanë privuar shumë fëmijë nga kontaktet sociale dhe përvojat themelore për ta pasuruar fjalorin

Ekzistojnë prova përherë e më të shumta se viti i kaluar në izolime shkaku i pandemisë së koronavirusit ka pasur ndikim të madh në shkathtësitë gjuhësore të fëmijëve, ka treguar të mërkurën një studim i ndërmarrë në këtë fushë.

Të dhënat nga mesi i 50.000 nxënësve dhe nga një sondazh i kryer në Angli kanë treguar se një numër përherë më i madh i katër dhe pesëvjeçarëve kanë shfaqur nevojë për asistencë në rrafshin e përvetësimit të gjuhës. Dëshmitë kanë treguar se zhvillimi i dobët i aftësisë së të folurit mund të ketë efekte afatgjata edhe në zënien e dijes.

Qeveria britanike ka bërë të ditur se është duke investuar 18 milionë funte në rrafshin e përvetësimit të gjuhës në vitet e para të jetës së fëmijëve, përfshirë edhe ndihmën shtesë për nxënësit e klasës së parë.

Studimi i Fondacionit të Ndihmave për Arsim ka sugjeruar se masat e zbatuara për frenimin e përhapjes së koronavirusit i kanë privuar shumë fëmijë nga kontaktet sociale dhe përvojat themelore për ta pasuruar fjalorin.

Mosprania apo prania e paktë e gjyshërve, distanca sociale, mungesa e lojërave dhe bartja e maskave në publik ka ndikur që fëmijët të jenë më pak të ekspozuar karshi bisedave dhe jetës së përditshme.

Prej 58 shkollave fillore që janë përfshirë në sondazhin e kryer në Angli, 76 për qind kanë pretenduar se nxënësit që kanë nisur shkollën në shtator kishin nevojë për më shumë përkrahje në pjesën e komunikimit sesa viteve të kaluara dhe se 96 për qind e tyre kanë shfaqur shqetësime për sa i përket zhvillimit të shkathtësive gjuhësore dhe të të folurit mes nxënësve. Kurse 56 për qind e prindërve janë shprehur të brengosur për fillimin e shkollës nga fëmijët e tyre, pas izolimit që ishte gjatë pranverës dhe verës.

Fillimi i shkollës

Niamh, që e ka nisur klasën e parë në shkollën fillore “Ryders Hayes” në Walsall, po e ndërton dalëngadalë vetëbesimin e saj në thurjen e fjalëve. Sikurse shumë fëmijë, jeta e saj është kufizuar për shkak të pandemisë dhe rrethi i saj shoqëror është tkurrur në vetëm familjen e saj të ngushtë. Dhe kjo gjë e ka shtyrë Lisën, nënën e saj, që të jetë shqetësohet për të.

“Ajo ka qenë një ndër më të voglat në gjeneratë dhe jam brengosur se fëmijët e tjerë kanë pasur më shumë përvojë sesa ajo”, ka thënë Lisa. “Kemi provuar ta përgatitim sa më mirë që kemi mundur. Ajo po e priste atë ditë, por nuk e ka njohur asnjërin prej fëmijëve në klasë, kështu që ishim pak të shqetësuar për këtë gjë”.

“Shqetësohesha se, pasi kemi qenë të izoluar gjatë tërë verës dhe nuk ka dalë jashtë për të luajtur me shokët e saj, si do të reagonte në një dhomë që të mbushur me fëmijë dhe mësues të rinj?” Mirëpo gjithçka shkoi më mirë se që kishin pritur”.

Edhe një nënë tjetër, Emma, ishte shqetësuar për fillimin e shkollës dhe nëse djali i saj, Harry, do të ishte në gjendje t’i artikulonte fjalët. Mirëpo, Harryt i ka ndihmuar pjesëmarrja në programin “Intervenimi i Hershëm i Gjuhës”, që është në kuadër të shkollës dhe mund t’u ndihmojë fëmijëve që të përparojnë brenda tre muajsh.

“Po vërehet dallimi menjëherë”, ka thënë Emma. “Ai po flet goxha shumë. Po bën vazhdimisht pyetje dhe po mendon e po pyet gjëra të tilla si: ‘Si rriten flokët?. Ai po i shpreh më shumë mendimet që ka”.

Gjuha si çelësi

Drejtoresha e shkollës, Saly Miner, ka thënë se problemet me komunikim “po i kufizonin” fëmijët, posaçërisht ata që nuk mund ta shprehin veten, nuk mund të ndërvepronin me bashkëmoshatarët dhe nuk mund t’ua mundësonin të tjerëve që t’i kuptojnë.

“Është çelësi”, ka thënë ajo. “Ka të bëjë me vetëbesimin e fëmijës. Dhe nëse nuk e kanë, nuk do të jenë të lumtur, nuk do të mund të rriten dhe të flasin me bashkëmoshatarët e tyre”.

“Të gjitha studimet tregojnë se nëse një fëmijë ka probleme me gjuhën në këtë moshë, atëherë kur rritet ka gjasa të ketë katër herë më shumë vështirësi me lexim dhe tri herë më shumë probleme mendore”, ka shtuar Miner.

Shefi ekzekutiv i Fondacionit të Ndihmave për Arsim, profesoresha Becky Francis ka thënë se ka pasur shqetësime nga shkollat për gjuhën dhe të folurit e fëmijëve shkaku i pandemisë.

Zbulimet e këtij fondacioni janë reflektuar edhe në të dhënat e kompanisë “Speech Link”, e cila ofron vlerësime të strandardizuara për shkollat fillore. Në mesin e 50.000 katër dhe pesëvjeçarëve që kanë nisur shkollën në shtator, një grup prej 20 deri 25 për qind e tyre kanë pasur nevojë për ndihmë në fushën e përvetësimit të aftësive gjuhësore krahasuar me vitin e kaluar. Janë shfaqur gjithashtu shqetësime për ndikimin e pandemisë te nxënësit e parashkollores.

Vitet më të rëndësishme të jetës

Shumë familjeve u kanë munguar organizimet e drejtpërdrejta, ka thënë drejtoresha ekzekutive e “Speech Link”, Alison Morton.

“E dimë se ka fëmijë që kanë vështirësi, të cilat nuk janë identifikuar ende”, ka thënë ajo. “Nuk ka pasur plane përmirësimi për fëmijët më të vegjël sikurse për më të rriturit”.

Ministrja e çështjeve Familjare dhe Fëmijëve ka thënë se vitet e para të jetës janë “më të rëndësishmet”.

“I kemi shpenzuar 3.5 miliardë funte për çdo vit për tre vjet radhazi për sigurimin e të drejtave falas për përkujdesjen e fëmijëve. Kemi investuar edhe 18 milionë funte për ta përkrahur zhvillimin e gjuhës gjatë viteve të fundit, pjesë e pakos sonë të re prej 700 milionë funtash për të siguruar mbështetje shtesë për fëmijët që kanë nevojë, përderisa po i kthehen mësimit në shkollë”, ka thënë ajo. “Këtu përfshihet ndihma financiare që të ketë sukses skema e Intervinimit të Hershëm në Gjuhë dhe të shpërndahet në më shumë shkolla, në mënyrë që mijëra fëmijë katër ose pesëvjeçarë, aftësitë gjuhësore, komunikuese dhe të shkrimleximit të të cilëve janë prekur nga izolimi i vitit të kaluar, të përfitojnë  nga programet ndihmëse”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme