Kafja ndihmon kundër çrregullimeve mendore

Prishtinë | 08 Dhj 2018 | 08:05 | Nga Ekonomia Online

Shkencëtarët thonë se pirja e kafes duhet parë më shumë se një mënyrë për t’i bërë qejfin vetes, ajo është shumë efektive në parandalimin e problemeve mendore.

Gratë mbi moshën 65 vjeç që e merrnin kafeinën rregullisht dhe në sasi normale, ishin 36% më pak të rrezikuara për të pasur probleme të tilla, ky është përfundimi në të cilin u arrit pas një studimi.

Por, pavarësisht kësaj, ekspertët nuk mund të thonë me saktësi se përse janë pikërisht 2 filxhanë kafeje që mund ta bëjnë këtë gjë.

Hulumtuesit shkencorë nga Universiteti Uisconsin-Milwaukee vëzhguan mbi 6 mijë gra të moshës mbi 65 vjeç dhe sasinë e kafeinës që ato konsumonin çdo ditë. Sasia u vlerësua në bazë pyetjeve mbi sasinë dhe shpeshtësinë e konsumimit të kafes, çajit dhe kolës.

Më pas pacientet u vëzhguan për një periudhë 10 vjeçare, ku u bë një vlerësim i përvitshëm lidhur me aftësitë e tyre njohëse.

Ata zbuluan se personat që konsumonin më shumë se 261 miligramë kafeinë, që është e barabartë me 2 filxhanë kafe, ishin 36% më pak të rrezikuar për t’u prekur nga çrregullimet mendore pas 10 vitesh. Megjithatë kërkuesit ende nuk mund ta thonë me siguri se përse kafeina ka këtë efekt parandalues mbi çrregullimet mendore.

Por ata thonë se kafeina ndihmon që receptorët e trurit të lidhen më shumë me njëri-tjetrin dhe ky mund të jetë një fillim i mirë për të përcaktuar se përse kafeina ka këtë efekt.

Drejtuesja e kërkimit, Ira Driscoll, u shpreh se : ‘Fakti që ne kemi prova se kafeina është efektive në parandalimin e këtyre çrregullimeve është shpresëdhënës, pasi ajo është një lëndë që sasia e marrjes së saj mund të kontrollohet lehtësisht.

Edhe pse për momentin nuk mund të bëjmë një lidhje midis rritjes së sasisë së kafeinës dhe uljes së rrezikut për çrregullime mendore, besojmë se me kryerjen e studimeve të mëtejshme ne do të mund të përcaktojmë më mirë këtë lidhje. Studimet mbi këtë temë jo vetëm që do të jenë efektive në parandalimin e problemeve, por do të shërbejnë edhe për të gjetur shkaktarët e kësaj gjendjeje”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme