Kanceri i fshikës së urinës, faktorët që rrisin rrezikun

Prishtinë | 22 Kor 2017 | 17:21 | Nga

Kanceri i fshikëzës së urinës është një lloj kanceri që fillon në fshikëzën e urinës – një organ në formë tullumbace në pjesën e legenit, që mban urinën. Ky lloj kanceri shfaqet fillimisht në qelizat që rrethojnë pjesën e brendshme të fshikëzës së urinës.

Ai zakonisht prek moshat e treta, megjithatë ekziston rreziku edhe për moshat më të reja. Pjesa më e madhe e rasteve me kancer të fshikëzës së urinës diagnostikohen në faza të hershme – kur mund të trajtohen lehtësisht.

Gjithsesi, ekzistojnë gjasat e ripërsëritjes së kancerit edhe nëse ai diagnostikohet dhe trajtohet që në fazat e para, prandaj mbijetuesit e këtij lloji kanceri i nënshtrohen testeve për disa vite radhazi pas trajtimit për të kontrolluar për rishfaqje të kancerit.

Faktorët që mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të fshikëzës janë:

Duhanpirja – Pirja e duhanit mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të këtij lloji kanceri duke shkaktuar akumulim të substancave kimike të dëmshme në urinë. Kur pini duhan, trupi përpunon substancat kimike dhe i sekreton disa prej tyre në urinë. Këto substanca të dëmshme mund të dëmtojnë pjesën e brendshme të fshikëzës, duke rritur kështu rrezikun për zhvillimin e kancerit.

Mosha – Rreziku i kancerit të fshikëzës rritet me moshën. Ky lloj kanceri mund të shfaqet në çdo moshë, megjithatë është më i rrallë tek njerëzit nën 40 vjeç.

Të qenët mashkull – Burrat janë më të rrezikuar sesa gratë nga ky lloj kanceri.

Të qenët mashkull – Burrat janë më të rrezikuar sesa gratë nga ky lloj kanceri.

Ekspozimi ndaj substancave të caktuara kimike – veshkat luajnë një rol të rëndësishëm në filtrimin e kimikateve të dëmshme nga qarkullimi i gjakut dhe kalimi i tyre në fshikëzën e urinës. Prandaj, mendohet se këto kimikate (si arseniku) rrisin rrezikun e kancerit të fshikëzës.

Trajtimet e mëparshme për kancerin – Trajtimi me ilaçin anti-kancerogjen ‘ciklofosfamide’ rrit rrezikun e kancerit të fshikëzës. Njerëzit që i janë nënshtruar trajtimeve me rreze në pjesën e legenit për një kancer të mëparshëm janë më të rrezikuar nga kanceri i fshikëzës.

Inflamacioni kronik i fshikëzës: Infeksionet kronike ose të përsëritura, apo inflamacionet (cistitet), që mund të shfaqen nga përdorimi i gjatë i një tubi urinar, mund të rrisin rrezikun e kancerit të fshikëzës së urinës. Në disa vende, karcinoma me qeliza skuamoze lidhet me inflamacionin kronik të fshikëzës, i shkaktuar nga infeksioni parazitar i njohur si skistosomiaza.

Histori personale ose familjare me kancer – Personat që janë trajtuar më parë nga ky lloj kanceri janë disa herë më të predispozuar që t’u rishfaqet. Gjithashtu, edhe personat që kanë një histori familjare me këtë lloj kanceri mund të jenë të rrezikuar, edhe pse ndodh rrallë që kjo sëmundje të trashëgohet edhe në pjesëtarë të tjerë të familjes. Një histori familjare me kancer kolorektal jopolipoze e trashëgueshme, e quajtur ndryshe si sindroma Lynch, mund të rrisë rrezikun e kancerit në sistemin urinar, si edhe në zorrë, mitër, vezore dhe organe të tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme