Konsumoni domate së paku dy herë në javë

Prishtinë | 14 Tet 2018 | 11:08 | Nga Anila Kalleshi

Domatja ka disa elementë shumë të nevojshëm për organizmin e njeriut si karoteni, vitaminën C, vitaminën A, antocianin likopenin. Likopeni gjendet me shumicë te domatja dhe është një element natyral me veti shumë të forta antioksiduese.

Likopeni është një mbrojtës shumë i mirë kundër rrezeve UV. Nga një studim i bërë është zbuluar se likopeni mbron ndaj kancerit të prostatës. Njerëzit që konsumojnë të paktën 2 herë në jave domate janë më pak të ekspozuar ndaj sëmundjeve kanceroze, përmendim ketu: kancerin e mushkërive, të prostatës, të gjirit, të mëlçisë, të zorrës së trashë.

Është e këshillueshme që domatja të konsumohet e freskët, pasi vlerat ushqyese janë në përqindje më të lartë. Lëngu i freskët i domates mund të përdoret dhe kundër sëmundjeve inflamatore të lukthit. Domatja e freskët, ndihmon në ripërtëritjen e qelizave të lëkurës dhe jo rrallë herë përdoret nga femrat, si një produkt kozmetike.

Si të përgatisni salcën e domates

Për të përgatitur 500 gram salcë nevojiten: 4 kg domate, 2 lugë gjelle me vaj ulliri , 2 lugë çaji me kripë, 1/2 luge çaji me lëng limoni.
Ndizeni furrën në 180 gradë. Pritini domatet në katër copa. Hidhini copat në një tenxhere së bashku me vajin e ullirit dhe lërini të ziejnë në zjarr mesatar deri sa domatja të zbutet dhe lëkura të shkëputet nga tuli. Hidheni masën e përfituar të domates në një grirëse ushqimesh që të ndani lëkurën nga tuli dhe farat. Në enën e grirëses ku është derdhur vetëm tuli i domates hidhni kripën dhe lëngun e limonit. Lëkurën dhe farat hidhini. Merrni dy letra të mëdha pjekjeje dhe hidhni mbi to tulin e domates. Vendosini këto letra në tepsitë përkatëse dhe futini në furrë. Kontrolloji çdo gjysëm ore, duke i rrotulluar në këndet përkatëse. Me kalimin e minutave, pjesa e mbetur e domates do të tkurret ndjeshëm, ndaj nuk do të jetë e nevojshme të mbani dy tepsi, por përbërjen mund ta hidhni në një letër pjekjeje të vetme. Mos e ndërprisni proçesin e pjekjes. Pas 3 ose 4 orësh, salca konsiderohet e bërë, kur domatet janë me shkëlqim dhe kanë një ngjyrë të thellë dhe sasia e saj është përgjysmuar. Në të nuk duhet të ketë ujë ose lagështi. Proçesi i pjekjes është gjithnjë në varësi të lëngut të domates. Hidheni salcën në kavanozë të vegjël, duke lënë një hapësirë rreth 2 centimetra nga pjesa e grykës. Kavanozët mund t’i vendosni në një tenxhere dhe t’i mbani për 15 minuta në ujë të valuar ose mund t’i fusni në frigorifer dhe në ngrirje. Nëse zgjidhni këtë metodë, duhet të mbuloni salcën me vaj ulliri dhe më pas ta vendosni në frigorifer. Për sa kohë ajo do të jetë e mbuluar me vaj ulliri ajo do të jetë e sigurt për konsum. Sa herë që ta hapni, përdorni një lugë të pastër.

Nëse dëshironi ta ruani për konsum afatshkurtër, ruajeni në frigorifer për 3 deri në 4 javë. Në ngrirje mund ta ruani për 9 muaj.

(Autorja është dietologe)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme