Maska natyrale për lëkurë të ndjeshme

Prishtinë | 25 Mar 2023 | 19:48 | Nga Ekonomia Online

Nëse keni lëkurë shumë të ndjeshme, ju duhet të jeni tepër të kujdesshme për produktet që përdorni për mirëmbajtjen e lëkurës.

Lëkura delikate kërkon kujdes shumë të veçantë.

Ju që keni probleme të tilla, e dini mirë këtë që po e themi sepse vazhdimisht e keni problem të gjeni produktet ideale pasi shumë prej tyre ju shkaktojnë telashe me lëkurën, transmeton Klan Kosova.

Prandaj mënyra më e mirë për lëkurën e tillë është të përdorni maska natyrale që përpos që ju ndihmojnë të keni lëkurë të shëndetshme me plot shkëlqim nuk kanë asnjë efekt negativ.

Të gjitha produktet që janë pjesë e maskave që ju propozojmë janë krejtësisht natyrale, nuk janë të dëmshme dhe mbi të gjitha ushqejnë lëkurën.

Më poshtë gjeni disa nga maskat më të mira në mënyrë që të keni lëkurë të shëndetshme plot shkëlqim.

Maska e parë: Tërshërë, mjaltë dhe qumësht

Kjo maskë ju mundëson që të keni lëkurë të freskët dhe përplot shkëlqim.

Produktet që ju duhen:

Dy lugë gjelle pluhur tërshëre

Një lugë gjelle mjaltë

2 lugë gjelle qumësht kokosi

Si ta përgatisni dhe aplikoni këtë maskë?

Vendosni në një enë fillimisht pluhurin e tërshërës. Shtoni mjaltin dhe në fund qumështin e kokosit.

Përzieni mirë të gjitha produktet bashkë derisa të krijohet një pastë homogjene.

Pastrojeni fytyrën me ujë të vakët dhe lëreni të thahet. Më pas, aplikojeni maskën në fytyrë me një brushë të grimit (të pastër ose të re) duke u nisur nga lartë-poshtë.

Lëreni të qëndrojë për 10-15 minuta.

Në fund, pastrojeni fytyrën me ujë të vakët, me një spërkatje me ujë të ftohtë në fund.

Këtë maskë aplikojeni një herë në javë.

Maska dy: Karrotë dhe mjaltë

Kjo maskë me mjaltë dhe karrotë është ideale për të gjitha tipet e lëkurës dhe i jep lëkurës tuaj një shkëlqim të menjëhershëm.

Produktet që ju duhen:

2/3 e karrotës së zier dhe shtypur

Një ose dy lugë gjelle mjaltë

Si ta përgatisni dhe aplikoni këtë maskë?

Vendoseni karrotën e zier dhe shtypur në një enë. Shtoni mjaltën dhe përzieni mirë derisa të krijoni një pastë homogjene.

Lajeni fytyrën me ujë të vakët dhe lëreni të thahet. Aplikojeni maskën në fytyrë me një brushë grimi të pastër duke u nisur nga lart-poshtë.

Lëreni të qëndrojë për 10-15 minuta.

Në fund, pastrojeni fytyrën me ujë të vakët, me një spërkatje me ujë të ftohtë në fund.

Këtë maskë aplikojeni dy ose tri herë në javë.

Maska tre: Qumësht dhe banane

Bananet janë një frut jashtëzakonisht ushqyes me përfitime të shumta shëndetësore. Ato janë gjithashtu të shkëlqyeshme për lëkurën dhe flokët tuaj.

Maskat me banane për fytyrë janë ushqyese, hidratuese dhe një ilaç i përsosur për personat me lëkurë të thatë, të yndyrshme dhe të ndjeshme. Këto maska ndihmojnë për ta mbajtur lëkurën të butë.

Produktet që ju duhen:

Një banane

Dy lugë gjellë mjaltë

Si ta përgatisni dhe aplikoni këtë maskë?

Shtypeni bananen me një piru. Shtoni më pas dy lugë gjelle mjaltë.

Përzieni mirë derisa të krijohet një pastë homogjene.

Përdoreni një brushë për grim për ta aplikuar këtë maskë. Lëreni të qëndrojë për 15 minuta në fytyrë ose derisa të thahet krejtësisht.

Pastrojeni më pas fytyrën me ujë të vakët dhe lëreni fytyrën të thahet vetë ose me një peshqir të butë.

Këtë maskë aplikojeni dy deri tri herë në javë dhe thuani lamtumirë lëkurës së thatë.

Përdorimi i rregullt i kësaj maske do të bëjë që të keni lëkurë të hidratuar, të shëndetshme dhe me shumë shkëlqim.

Të ngjashme