“Preferoj të vërtetën edhe nëse dhemb”

Prishtinë | 04 Pri 2017 | 20:08 | Nga

E vërteta është siguria dhe bilanci i brendshëm, sidomos në marrëdhëniet në çift. Ka nga ata që nuk e praktikojnë, madje as për veten e tyre, por e vërteta e ofruar gjithmonë me respekt, është baza e bashkëjetesës së përditshme. Disa njerëz kanë nevojë të thonë gjysmën e të vërtetës, të tjerë preferojnë gënjeshtrat, të jetojnë në falsitet ose të vegjetojnë mes situatash të rreme, të cilat dalëngadalë i zhysin në pakënaqësi të thella.

“Dua të vërtetën, edhe nëse ajo dhemb”: sigurisht që edhe ju mund të keni deklaruar kështu në ndonjë rast. Edhe pse duke e thënë nën zotërimin e frikës, e vërteta do të na ndihmojë gjithmonë të lëvizim me besimin e asaj që do të na presë.

Sot ju ftojmë të reflektoni mbi kuptimin e sinqeritetit.

E vërteta për të mbyllur qarqe dhe faza të jetës

Marrim një shembull të përgjithshëm: të jetosh një marrëdhënie në çift ku ndihet që afeksioni nuk është si më parë, që gjestet nuk janë të sinqerta. Ndonjëherë kënaqemi kur çojmë përpara një marrëdhënie të ngjashme nga frika e vetmisë, ose për shkak se nuk jemi të gatshëm të përballemi me realitetin. Shtiremi dhe presim që situata të ndryshojë për mirë. E pra, të mendosh, të kuptosh apo të shohësh diçka negative në çift dhe të heshtësh, është një gabim i madh. Duhet gjithmonë ta kërkojmë të vërtetën, akoma më shumë kur bëhet fjalë për ndjenjat. Kjo është mënyra e vetme për të ruajtur integritetin në çift, për të qenë në gjendje të merremi me situatën.

Çifti ka nevojë për të vërtetën në një marrëdhënie, që të mund të luftojë, apo anasjelltas, të presë lidhjen, të shërojë plagët dhe të ecë përpara. Të preferosh gjysmën e të vërtetës apo fjalë ngushëlluese, ka efektin vetëm të stërzgjatjes së një situate, e cila herët a vonë do të përkeqësohet. Ky është një qëndrim që bën keq për shëndetin tonë emocional.
E vërteta na ballafaqon me një realitet që duhet ta pranojmë dhe të merremi me të. Edhe pse është e dhimbshme, ajo na lejon të vëmë në zbatim një strategji për të vazhduar jetën me guxim.
e-verteta1

E VËRTETA ËSHTË THIKË ME DY PRESA
Ka dhe një tjetër aspekt që duhet marrë në konsideratë. A ia vlen të jemi të sinqertë në çdo rrethanë? Është obliguese të thuash gjithmonë të vërtetën? Çelësi qëndron tek ekuilibri dhe respekti.

Kush nga ne nuk njeh të paktën një person, i cili pretendon se është gjithmonë i sinqertë, i drejtpërdrejtë dhe se nuk është i zoti “të mbajë gojën mbyllur”? Ndonjëherë e vërteta shndërrohet në një thikë me dy presa. Është e rëndësishme ta shohësh të vërtetën si mjet bashkëjetese, e cila na lejon të rritemi, të përballemi me realitetin dhe të nxisim respektin reciprok. Nuk mund ta përdorim të vërtetën për të sulmuar të tjerët. Nuk është e drejtë të shëtisim nëpër botë duke thënë se X-i është i padurueshëm, Y-i dhe Z-ta nuk janë në terezi nga mendtë. Le të kuptojmë që secili ka të vërtetën e vet. Ndonjëherë e vërteta ka më shumë aspekte, sepse, larg nga të qenit një vlerë universale, në fakt është personale. Pra, ajo duhet përdorur me respekt, në ekuilibër dhe mbi të gjitha, me korrektesë.

KURRË MOS THUAJ TË KUNDËRTËN E ASAJ QË KE MENDUAR

Ky është një tjetër element thelbësor për të ruajtur vetëbesimin e mirë. Mos bëni gabimin që të thoni të kundërtën e asaj që mendoni, me qëllim që t’u bëni qejfin të tjerëve: është një mënyrë e sigurt për të rënë në kurthin e palumturisë. Thamë që, e vërteta nuk duhet përdorur si mjet ofendimi dhe në disa raste është mirë që ta fshihni nga pak, duke kërkuar fjalët më të përshtatshme.

Në vend që t’i thoni një kolegu: “nuk po të duroj dot më, je një njeri egoist që nuk pushon së foluri dhe pengon të tjerët të punojnë”, mund t’i thoni: të lutem, le të përqendrohemi pak më shumë në punë dhe të flasim më pak për çështjet personale. Kohët e fundit mezi po përqendrohem dhe kam nevojë për pak qetësi”.

Siç e shihni, thelbi është i njëjti, por jemi duke folur me më shumë respekt, pasi nuk nxjerrim në pah defektet që kolegu ka, por një nevojë tonën: të mbajmë distancën dhe të përqendrohemi në punë.

Psikologët theksojnë se njerëzit që thonë gënjeshtra, udhëhiqen kryesisht nga frika:

Frikë se mos bezdisin të tjerët me atë që thonë
Frikë se mos humbasin atë që kanë
Frikë nga pasojat e mundshme
Frikë se mos të tjerët zbulojnë se cilët janë në të vërtetë
Janë situata të cilat nëse ruhen me kohën, mund të shkatërrojnë mendimin për veten. Në qoftë se nuk ju pëlqen lloji i ushqimit që ju përgatit vjehrra çdo fundjavë, thuajani me respekt ose do të vuani nga problemet me tretjen.

Në qoftë se nuk e duroni sesi ju trajton eprori, reagoni, në të kundërt, herët apo vonë do të fillojë t’ju trajtojë edhe më keq, duke parë se kufiri juaj i durimit është mjaft i lartë.

Mbi të gjitha, nëse nuk ndjeni më gjë për partnerin, thuajani dhe mos u zvarrisni në një situatë që herët a vonë do t’ju lëndojë akoma më shumë që të dyve.

Të ngjashme