Presioni për të qenë i bukur në Kore të Jugut

Prishtinë | 16 Qer 2019 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Janë bërë tash e sa vjet që kur Park Jae Hun nuk ka qenë në një lidhje dashurie, ama ai shpreson se kjo gjë do të ndryshojë së shpejti. 

Mbi të gjitha, ai po bënte çmos që t’ia përmirësonte vetes gjasat. Tashmë i ka operuar qepallat dhe hundën, shkruan sot Koha Ditore.

Tani konturat e mjekrës së tij do të zmadhohen dhe qoshet e buzëve do të përmirësohen duke u ngritur më lart, ashtu që të duket më miqësor. Park thotë se do të dëshironte ta kishte një të dashur të bukur, ama e di se për këtë gjë duhet të bëjë ndryshime. “Mbase operacioni do të m’i rrisë gjasat”. 

Dukja si kriter kryesor

 Park (29) rri në një kafene të kryeqytetit koreanojugor, Seul. Flokët kanë nisur t’i rrallohen, andaj bart ndonjëherë edhe paruke. Pas kafesë, do të shkojë në klinikë. Kur pyetet se çfarë i pëlqen në dukjen e tij, Parkut nuk i bie ndërmend asnjë gjë. 

Ai thotë të jetë bërë më i guxuar në aspektin e afrimit me njerëzit që kur ka nisur publikimin e videove në një blog të tijin, rreth dy vjet më parë. 

Por shton se mënyra se si duket i pëlqen përherë e më pak. Presioni për t’u dukur i bukur është i jashtëzakonshëm në Kore të Jugut. Përmirësimi i konturave është gjë e pritshme, sidomos nëpër qytete. Shumica tani zgjedhin “petit seonghyeong” apo “ndërhyrje të vogla”, si injektimet e botoksit apo mbushësit e konturave të fytyrës. 

Koreanët i frekuentojnë rregullisht klinikat estetike për t’i përmirësuar gjasat në intervistat e punësimit, për shembull, ngase dukja është skajshmërisht e rëndësishme në tregun vendor të punës.

Të ngjashme