Kujdes me produktet e pastrimit, rrezikojnë shëndetin

Prishtinë | 20 Sht 2016 | 20:15 | Nga

Produktet shtëpiake të pastrimit janë të nevojshme për higjienën e shtëpisë, por në të njëjtën kohë sjellin edhe dëmtime në shëndet.

Një studim norvegjez ka dalë në përfundimin se njerëzit që përdorin produktet shtëpiake të pastrimit janë më të rrezikuar të preken nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike, që përfshin sëmundje kronike si bronkitin dhe emfizemën.

Gjatë studimit u analizuan të dhënat e 5 mijë femrave për një periudhë 20 vjeçare. Nga analizimi i të dhënave u arrit në konkluzionin se pastrueset kishin 17% më shumë rënie të funksionit të mushkërive krahasuar me të tjerët.

Ndërsa ato që merren vetëm me pastrimin e shtëpisë së tyre kishin 14% rënie të funksionit të mushkërive. Kjo mendohet se ndodh pasi pastrimi i ekspozon njerëzit ndaj agjentëve kimikë si amoniaku, që irriton rrugët e frymëmarrjes,dhe substanca të tjera që mund të shkaktojnë alergji.

Oistein Svanes, autori kryesor i studimit nga Universiteti Bergen thotë se njerëzit duhet të tregohen më të kujdesshëm në lidhje me produktet që përdorin për pastrimin e ambienteve.

“Duhet të jemi më të kujdesshëm me substancat kimike që lëshojmë në ajrin të cilin thithim, kur përdorim produkte pastrimi me sprai”, thotë ai.

Sëmundja pulmonare obstruktive kronike dëmton muret e qeskave të vogla të ajrit në mushkëri (emfizema) ose shkakton bronkit kronik.

Ekspertët bëjnë thirrje që t’i kontrolloni me kujdes udhëzimet e përdorimit tek produktet e pastrimit dhe të shmangni ato që vënë në rrezik shëndetin tuaj.

Gjithashtu këshillohet që të mos përdorni produkte me spërkatje dhe t’i hapni dyert,dritaret gjatë pastrimit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme