Pse disa njerëz i “duan” më shumë mushkonjat

Prishtinë | 02 Gus 2023 | 22:01 | Nga Ekonomia Online

E keni vënë re ndonjëherë se si mushkonjat pickojnë vetëm disa njerëz, ndërkohë që i injorojnë të tjerët? Nëse ju bëni pjesë tek grupi i parë, atëherë duhet të fajësoni së pari prindërit për këtë fakt. Gjenet dhe grupi i gjakut janë dy nga arsyet kryesore përse disa njerëz janë më të preferuarit e mushkonjave. Përveç tyre, janë edhe disa arsye të tjera që mund t’i gjeni më poshtë.

Jeni shtatzënë

Mushkonjat femra (ato që pickojnë më shumë) kanë disa receptorë specialë nervor që i ndihmojnë të nuhasin dyoksidin e karbonit në mjedis. Çfarë lidhje ka kjo me shtatzëninë? Një studim i vitit 2002, i publikuar tek revista “The Lancet “, zbuloi se gratë në javët e fundit të shtatzënisë lëshojnë 21% më shumë CO2 se bashkëmoshataret e tyre që nuk janë shtatzënë.

Hulumtuesit shkencorë mendojnë se kjo mund të arsyeja përse gratë shtatzëna që morën pjesë në eksperimentet e tyre tërhoqën dy herë më shumë mushkonja (edhe mushkonjat u duhen grave shtatzëna në tremujorin e tretë).  Dyoksidi i karbonit nuk është arsyeja e vetme përse gratë shtatzëna i tërheqin më shumë mushkonjat: ato gjithashtu lëshojnë erëra të paqëndrueshme që tërheqin mushkonjat, thotë profesoresha Harrington, tek Universiteti Cornell.

Kulloni në djersë

Gjatë aktivitetit fizik sekretohet më shumë acid laktik, i cili kur kthehet në djersë i tërheq më shumë mushkonjat. Temperatura e trupit gjithashtu mund të luajë një rol të rëndësishëm nëse po djersini shumë.

Keni grup gjaku 0

Ashtu siç ju keni aromat e preferuara, edhe mushkonjat kanë të ashtuquajturat preferenca të tyre, dhe një prej tyre lidhet me atë që rrjedh në venat tuaj. Një studim i publikuar tek Revista Mjekësore e Etimologjisë zbuloi se mushkonjat tërhiqen më shumë nga njerëzit me grup gjaku 0, të cilët si duket janë të predispozuar për të lëshuar aroma të caktuara që janë tërheqëse për mushkonjat.

Sapo keni pirë një birrë

Nuk duam që të hiqni dorë nga birra, sidomos tani në verë, megjithatë duhet të dini se kjo pije tërheq më shumë mushkonja. Një studim i kryer në Afrikën Perëndimore zbuloi se meshkujt që pinë birra ishin më preferuarit e mushkonjave. Një tjetër eksperiment i kryer në Japoni zbuloi se mushkonjat tërhiqen nga njerëzit që konsumojnë alkool.

Megjithatë, arsyeja përse ndodh një gjë e tillë është akoma e paqartë.

Gjenet ju bëjnë më tërheqës

Një studim i kryer tek binjakë identikë sugjeron se një mekanizëm i fshehur gjenetik mund të ndikojë në faktin që disa njerëz i tërheqin më shumë mushkonjat. Shkencëtarët britanikë kanë zbuluar se disa njerëz të caktuar prodhojnë substanca natyrale kundër mushkonjave, një veçori që duket se kontrollohet gjenetikisht.

Si t’i mbani larg mushkonjat? 

Nuk keni ç‘bëni. Vishni rroba të lehta në copë dhe ngjyrë dhe gjeni spray kundër insekteve me përmbajtje limoni ose portokalli.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme