Pse të tërheqin djemtë “e këqij”?

Prishtinë | 15 Dhj 2016 | 22:22 | Nga

Je e zemëruar me veten sepse gjithmonë e gjen veten në krahët e dikujt që nuk bën për ty? Të ndodh aq shpesh sa tashmë mendon se ti nuk di të zgjedhësh? Mos u mërzit, nuk je e vetmja që ndodhet në këtë situatë. Fillimisht duhet ta kuptosh problemin, në mënyrë që më pas ta zgjidhësh atë.

Ja cilat mund të jenë arsyet, pse ti shoqërohesh gjithmonë me ata që “nuk bëjnë për ty”:

1. Je aq e pasigurt sa nuk thua dot “JO”

Shpesh të qenit e pasigurt në vetvete është një nga arsyet kryesore që të shtyn të bësh zgjedhje të gabuara. Nëse ke frikë nga refuzimi, atëherë ka më shumë gjasa që të “kënaqesh” me mashkullin e parë që të kushton pak vëmendje. Nëse ai këmbëngul, ti e ke të pamundur të thuash “jo”.

2. Ke frikë se mos ngelesh vetëm

Kur has vështirësi të afrohesh me dikë për të cilin ke vërtetë interes, mund të ndodhë që të kap paniku se mos ngelesh gjithë jetën vetëm, ndaj je e prirur të pranosh cilindo mashkull që bën një hap drejt teje. Kjo është e gabuar!

3. Ngatërron gjithmonë tërheqjen me dashurinë

Nuk do shumë mend që nëse nuk i ke të qarta të dyja nocionet, patjetër që “do ia fusësh kot”! Pas “shuarjes” së dëshirave seksuale, do të të duhet të përballesh me personin dhe karakterin e tij! Vetëm tërheqja nuk mjafton!

4. Je shumë impulsive

Nëse je natyrë spontane dhe impulsive, je e ekspozuar ndaj rrezikut të të zgjedhurit të partnerit vetëm se është “gallatë” apo thjesht sepse ai vesh ngjyrën tënde të preferuar. Kjo përkthehet vetëm me një fjalë: TELASH! Shanset që ai të jetë i duhuri janë shumë të pakta!

5. Je shumë naive

Nëse dëshiron të gjesh të duhurin, të qenit naive nuk ka për të të ndihmuar. Duhet të dish se pjesa më e madhe e meshkujve, dalin thjesht për të “gjuajtur” që jo domosdoshmërisht nënkupton se kërkojnë një marrëdhënie serioze. Prandaj, bëji sytë katër dhe mos beso çdo gjë që të thonë!

6. Tërhiqesh nga “çunat e këqij”

Është momenti që të jesh e sinqertë dhe e ndershme me veten. Nëse të tërheqin të ashtuquajturit “çunat e këqij” dhe as që i llogarit ata të mirët, na vjen keq por nuk ta ka njeri fajin! Prandaj boll u ankove!

7. Zemra jote gënjehet lehtë

Nëse bën koketën me këdo që mban pantallona apo flirton edhe me maçokun e zi që kalon rrugën, vajzë e dashur problemi këtu je ti! Meshkujt pëlqejnë femrat e sigurta në vetvete, me këmbë në tokë dhe që nuk “ia luajnë” kamerierit, teksa shoqëruesi i tyre është në tualet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme