Rezistenca mendore ju nevojitet në biznes dhe jetë

Prishtinë | 20 Pri 2018 | 20:21 | Nga

Vëmendja del se është një mënyrë e mirë për të ndërtuar rezistencën mendore, për sportistët dhe biznesmenët.

Nëse do duhej të zgjedhja një cilësi dhe karakteristikë të cilën e kam marrë nga loja e futbollit dhe e cila ka ndikuar në jetën time si një ndërmarrës, do të ishte rezistenca mendore, pa dyshim. Luajtja e futbollit që nga fëmijëria dhe në fund mundësia e mrekullueshme për të luajtur në nivelin më të lartë në NFL ka transformuar mentalitetin tim më shumë se gjithçka tjetër.

Sigurisht që e kam mësuar rëndësinë e pabesueshme të punës në grup, kulturës, udhëheqjes dhe tjerave cilësi të rëndësishme, por qëndresa e cila është rrënjosur në mua nga loja e futbollit është gjëja për të cilën jam më së shumti mirënjohës.

Nëse mendoni se futbollistët ose tjerët sportistë profesionistë kanë lindur me një lloj të veçantë të rezistencës mendore dhe e cila bëhet natyra e dytë për ta menjëherë, e keni gabim. Qëndresa mendore është diçka të cilën mund t’a forconi dhe zhvilloni gjatë kohës pavarësisht se çfarë bëni për jetesë.

Një studim i fundit nga neuroshkencëtari i Universitetit të Miama Amishi Jha zbuloi se rezistenca mendore dhe elasticiteti janë shkathtësi të cilat mund të mësohen dhe trajnohen nga lojtarët e futbollit. Rezultatet treguan se sikur trajnimi fizik, ushtrimet dhe përsëritja janë kyçe për trajnimin mendor. Edhe pse ky studim i veçantë ishte i kufizuar për futbollistët studentë, rezultatet e tij ishin lajme të mira për të gjithë sepse ato nuk aplikoheshin vetëm tek futbollistët, por tek shumë industri dhe punë të ndryshme.

Pse është aq e rëndësishme rezistenca mendore?

Nëse ndiheni mendërisht të rrëzuar, gjasat janë të vogla se do të shkoni aty ku dëshironi. Pavarësisht se a flasim për sportistët ose biznesmenët, fitorja do të jetë gjithçka. Nuk ka asgjë që nuk mund të bëni kur keni një mentalitet të fuqishëm.

Një pjesë e madhe e posedimit të atij mentaliteti të fokusuar është të jeni në gjendje të vazhdoni përpara edhe kur gjërat bëhen të vështira, të qëndroni pozitivë kur negativiteti iu sulmon dhe të këmbëngulni vazhdimisht deri sa të arrini në destinacionin tuaj. Ky është definicioni i vërtetë i rezistencës mendore: të shfaqni një sasi të madhe të besimit, të luftoni dhe të dedikoheni ndaj një qëllimi të cilin po e ndiqni me pasion. Nëse shikoni në çdo kategori të njerëzve të suksesshëm pavarësisht industrisë, ju shpejtë do t’a kuptoni se ata kanë shfaqur një nivel të jashtëzakonshëm të rezistencës mendore për të arritur aty ku janë.

Si të ndërtoni rezistencën mendore?

Studimi i Universitetit të Miami tregoi se njëra prej mënyrave më të mira për të ndërtuar rezistencën mendore është përmes ushtrimit të vëmendjes në baza të vazhdueshme. Vëmendja ka të bëjë me drejtimin e energjisë dhe mendimeve në momentin prezent pa asnjë gjykim. Unë së pari u prezantova me fuqinë e vëmendjes kur isha në universitet dhe luaja futboll për Universitetin Indiana.

Një herë në javë, ne kishim një psikolog të sporteve i cili vinte dhe drejtonte ekipin për ushtrime të ndryshme të frymëmarrjes dhe skanimeve të trupit ( udhëzonte meditimin duke u fokusuar në pjesë të ndryshme të trupit). Kur filluam së pari këto rutina, isha skeptik. Mendoja se nuk kishte mënyrë që këto ushtrime të çuditshme të ndikonin në mënyrën se si luaja në fushë.

Por e kisha gabim. Jo vetëm që fokusi im në fushë u rrit, por ankthi dhe stresi u zvogëluan pas disa javësh të këtyre ushtrimeve.

Bazuar në përvojën time, unë mund të ofroj dy mënyra praktike të cilat mund të ju ndihmojnë si mua, ndërtoni rezistencën mendore dhe elasticitetin, duke filluar nga sot.

Praktikoni vëmendjen çdo ditë

Praktikimi i vëmendjes ndryshon lojën. Jo vetëm që studimet po tregojnë rëndësinë e vëmendjes dhe përfitimet që ajo ofron, por njerëzit si unë e lavdërojnë atë në bazë të përvojës personale.

Vëmendja qetëson mendjen tuaj nga bota kaotike dhe e zhurmshme në të cilën jetojmë; dhe ajo qetësi, në kthim, ju pajis me forcën dhe paqen e mendjes që të vazhdoni përpara edhe gjatë vështirësive. Duke qenë të vëmendshëm ndaj momentit prezent dhe duke jetuar aty ku jetoni për momentin ju ndihmon të largoni frikën e cila ju ndalon dhe ju ofron qartësi për t’u fokusuar në atë që është më e rëndësishme.

Unë përdor aplikacionin Calm, i cili ka pasur efekt të madh për mua. Ka një shumëllojshmëri të ushtrimeve të frymëmarrjes dhe skanime të trupit të cilat ju shoqërojnë hap pas hapi. Praktikimi i vëmendjes ditore nuk ju ndihmon vetëm në ndërtimin e rezistencës mendore, mund të ndryshojë jetën tuaj në mënyra të ndryshme në zvogëlimin e ankthit ditor dhe duke rritur mirëqenien tuaj.

Dilni nga zona juaj e rehatisë çdo ditë

Kjo mund të jetë më e vështire, por nëse e bëni shprehi ditore të dilni nga zona juaj e rehatisë ndërton një sasi të pabesueshme të forcës.

Sikur që do të shkonit në palestër për t’u bërë më të fortë fizikisht dhe t’i rrisni muskujt tuaj, dalja nga zona juaj e rehatisë është ajo që ju ndihmon të zgjeroni kapacitetin tuaj për rezistencë mendore.

Sa më shumë që kërkoj të dal nga zona e rehatisë, pavarësisht se sa e parehatshme mund të jetë, aq më mirë ndihem. Kur planifikoj ditën time një natë përpara, njëra prej pyetjeve të para që ia bëj vetes është se si mund të dal nga zona ime e rehatisë atë ditë. Ju nuk mund të ndërtoni rezistencë mendore dhe elasticitet duke pasur kujdes gjithmonë dhe duke operuar vetëm në zonën tuaj të rehatisë.

Shkurtimisht, elasticiteti dhe rezistenca mendore janë të pa negociueshme nëse dëshironi të bëheni versioni më i mirë i vetes tuaj. Provoni këto dy ushtrime. Do ju ndihmojnë të arrini aty.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme