Sa minuta vrap duhen në ditë për qeliza të shëndetshme

Prishtinë | 12 Nën 2020 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Ekspertët thonë se tumoret po prekin gjithnjë e më shumë grupmoshat nga 40 në 60 vjeç. Niveli i vdekshmërisë nga tumoret në këtë grupmoshë është 40 për qind, ndaj dhe kujdesi duhet të jetë sa më serioz dhe cilësor. Sipas rekomandimeve të përditësuara, të publikuara në 9 qershor të vitit 2020 në revistën mjekësore A Cancer Journal for Clinicians, thuhet se aktiviteti fizik luan një rol kyç tek jetëgjatësia e qelizave. Udhëzuesi i parandalimit të sëmundjeve tumoriale liston gjithashtu kufizimin e sheqerit, mishit të kuq dhe alkoolit.

Këto rekomandime bazohen në rishikimin më të fundit të fakteve shkencore.

Specifikisht, rekomandimet e reja thonë se në vend të kryerjes së aktivitetit fizik me intensitet mesatar për 150 minuta në javë apo kryerjes së aktivitetit fizik për 75 minuta me një intensitet të lartë, njeriu duhet të kryejë 150-300 minuta aktivitet të një intensiteti mesatar ose 75-150 minuta aktivitet me intensitet të lartë në javë. Sa i përket ushqyerjes, njerëzit që kanë interes në uljen e rrezikut të kancerit duhet të synojnë të hanë më shumë barishte, drithëra të papërpunuar dhe të paktën dy racione e gjysmë frutash dhe perimesh në ditë. Për më tepër, konsumi i sheqerit dhe mishit të kuq, sidomos ai i përpunuari, duhen pakësuar ndjeshëm, thuhet në raport. Në të shkuarën, Shoqata Amerikane e Kancerit, rekomandonte konsum të moderuar të alkoolit por sipas udhëzimeve të reja, alkooli duhet shmangur plotësisht kundër kancerit. Sasia e lejuar e alkolit është jo më shumë se një pije në ditë për gratë dhe jo më shumë se dy pije në ditë për burrat. /AgroWeb

Të ngjashme