Si ndikojnë temperaturat e larta tek të sëmurët kronikë?

Prishtinë | 15 Gus 2022 | 09:28 | Nga Ekonomia Online

Efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpëndajë nxehtësinë e tepërt. Këto efekte do të varen nga koha e ekspozimit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit si dhe intesiteti i ekspozimit. Gjithashtu këto efekte varen edhe nga mosha dhe gjendja shëndetësore. Të moshuarit përbëjnë grupin më të madh të rrezikuar nga temperaturat e larta pasi ata shpesh vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike. Me rritjen e moshës aftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e trupit bie, tek ata ulet toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndjehet vonë, reagimi i djersitjes është i vonuar dhe numri i gjendrave të djersës është i reduktuar.

Gjendja shëndetësore e individëve që vuajnë nga sëmundjet kronike rëndohet si pasojë e dëmtimit të disa mekanizmave përshtatës ndaj temperaturave të larta:

Të sëmurët kardiovaskularë kanë dëmtim të përgjigjes së termorregullimit, përgjigje e reduktuar e sistemit kardiovaskular dhe rrezik të lartë për trombozë koronare dhe cerebrale.Tek ata ndodhin ndryshime në funksionin e veshkave të cilat mund të shkaktojnë çrrgullime të ritmit të zemrës. Ata që vuajnë nga hipertensioni mund të bëjnë një rënie të papritur të presionit arterial e cila mund të çojë në ishemi cerebrale.

Tek të sëmurët me diabet dhe sëmundje të tjera endokrine, rëndimi i gjendjes shëndetësore është i lidhur me çrregullimin e qarkullimit të gjakut në lëkurë e cila mund të luajë një rol në reduktimin e shpërndarjes së nxehtësisë, gjithashtu djersitja reduktohet dhe ndodhin ndryshime metabolike.

Tek individët me SPOK, astmë dhe bronkit kronik rëndohet gjendja shëndetësore sipas efektit të kombinuar midis temperatures së lartë dhe ajrit të ndotur. Për shkak të hiperventilimit dhe të dispense këta të sëmurë kanë vështirësi në shpërndarjen e nxehtësisë, dhe dehidrimi pengon nxjerrjen e sekrecioneve nga rrugët e frymëmarrjes.

Gjithashtu përdorimi i disa medikamenteve mund ta rëndojë gjendjen shëndetësore të të sëmurëve kronikë. P.sh medikamentet antidepresive çrregullojnë aftësinë e trupit për të rregulluar temperatureën trupore, antihistaminikët ndikojnë në aftësinë e trupit për tu djersitur. Gjithashtu edhe betabllokuesit që merren për të kontrolluar HTA ndikojnë në djersitjen e trupit të individit.

Të ngjashme