Si të ushqejmë fëmijët në dimër

Prishtinë | 19 Dhj 2023 | 01:32 | Nga Ekonomia Online

Duket “mision i pamundur” për fëmijët të kalojnë dimrin pa u prekur nga virozat e stinës. Megjithatë një dietë e ekuilibruar, me ushqime të freskëta që furnizojnë me vitamina, kripëra minerale dhe proteina, mund të forcojë sistemin imunitar duke ndihmuar trupin të përballojë më mirë këtë periudhë delikate të vitit.

Pavarësisht se moti i ftohtë ul dëshirën për të pirë ujë, hidratimi konstant është shumë i rëndësishëm.

Veçanërisht në dimër nuk duhet të harroni pesë porcionet e frutave dhe perimeve (me ngjyra të ndryshme) të cilat duhet të konsumohen çdo ditë. Çdo frut dhe perime përmban substanca specifike me funksione specifike.

Për sa i takon proteinave në stinën e ftohtë është më e lehtë të zgjedhësh edhe ato me origjinë bimore. Pra përdorni sa më shumë supëra të përgatitura me drithëra të të gjitha llojeve dhe bishtajore (fasule, qiqra, thjerrëza, bizele).

MËNGJESI

Një vakt shumë i rëndësishëm sidomos në ditët e ftohta të vitit. Ndryshimi i orës, i temperaturave, rifillimi i shkollës dhe aktiviteteve të ndryshme të fëmijëve kërkojnë më shumë energji e për rrjedhojë edhe një ushqyerje më të mirë. Stresi që shoqëron këtë periudhë gjithashtu ndikon në sistemin imunitar të tyre.

Mënyra më e mirë për të filluar ditën dhe për t’i siguruar fëmijëve energjinë e nevojshme është një mëngjes i ekuilibruar: qumësht ose kos, biskota apo brioshë dhe fruta. Veçanërisht në mëngjes është shumë mirë të konsumohen ato të pasura me vitaminë C. Kjo vitaminë mund të merret lehtësisht përmes lëngjeve që përfitohen nga shtrydhja e agrumeve, kivit apo boronicave të zeza.

USHQIMI GJATË PUSHIMIT NË SHKOLLË

Në shkollë, për vaktin e pushimit, përveç një ushqimi të përgatitur në shtëpi si bukë me reçel, tortë me mollë, biskota me rrush, është mirë që fëmijës ti jepni me vete një frut, pa harruar ti vendosni në çantë një shishe me ujë. Nevoja ditore e fëmijës për ujë zakonisht varion nga 680-1000 ml gjatë vitit të parë të jetës, 1100-1200 ml në vitin e dytë, 1300 ml në vitin e tretë dhe 1600 ml në të katërtin. Këto kërkesa rriten kur fëmija ka temperaturë, të vjella ose diarre. Në këto raste, vlerësoni me pediatrin nevojën për të përfshirë kripërat minerale përmes produkteve të veçanta.

Një këshillë praktike për prindërit: kontrolloni sasinë dhe ngjyrën e urinës së fëmijës tuaj. Nëse është e verdhë e errët kjo do të thotë se nuk është hidratuar mjaftueshëm. Gjithashtu nëse fëmija nuk ndjen nevojën të urinojë për disa orë me shumë gjasa nuk ka pirë ujë aq sa duhet.

DREKA

Në drekë, gjithmonë është mirë një pjatë me karbohidrate për të furnizuar organizmin me energjinë e duhur. Si pjatë e dytë fileto pule ose peshk me perime zgare e shoqëruar me sallatë perimesh. Ëmbëlsira me fruta mbyll këtë vakt të rëndësishëm.

PASDITJA

Për sa i takon pasdites, nëse fëmija praktikon aktivitet fizik mund të konsumojë një lëng frutash të freskëta, si dhe një produkt të përgatitur në furrë. Kujdesuni të mos e mbingopni me proteina si bukë dhe proshutë apo bukë me djathë. Nëse fëmija nuk ushtron aktivitet fizik mund të mjaftojë një kos me fruta të freskëta ose thjesht një lëng frutash.

DARKA

Për darkën vlejnë rregullat e ushqyerjes së shëndetshme, duke ndryshuar sa më shumë që të jetë e mundur jo vetëm llojin e perimeve, por edhe mënyrën e përgatitjes. Jo vetëm perime me avull dhe fruta të freskëta, por edhe perime të pagatuara apo fruta të gatuara. Mos harroni të përfshini peshkun dhe bishtajat së paku 2 herë në javë.

Të ngjashme