Si të veproni kur nuk mbani dot urinën

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 15:59 | Nga Ekonomia Online

Inkontinenca urinare nuk është një sëmundje, por një simptomë. Ajo mund të shkaktojë probleme mjekësore apo fizike të padukshme. Disa pije, ushqime dhe medikamente mund të veprojnë si diuretike (shkarkues të ujit), duke stimuluar vezikën dhe duke shtuar volumin e urinës.

Këto janë alkooli, kafeina, çaji dhe kafeja e dekafeinuar, pijet e gazuara, sheqeri artificial, shurupi i misrit, ushqimet pikante ose me shumë sheqer, veçanërisht agrumet. Shkaktarë të tjerë të kësaj simptome janë edhe medikamentet për sëmundje të zemrës ose tensionit të gjakut, qetësuesit, dozat e larta të vitaminës B dhe C. Incontinenca e urinës mund të shkaktohet gjithashtu edhe nga sëmundje që mjekohen lehtë si infeksionet e traktit urinar që mund të irritojnë vezikën duke shkaktuar një ndjenjë të fortë, urgjente, urinimi.

Inkontinenca urinare mund të jetë gjithashtu e vazhdueshme, e shkaktuar nga probleme fizike, ose ndryshime të tjera si shtatzënia, procesi i lindjes, ndryshimet e moshës, histerektomia (heqja e mitrës), prostata e zmadhuar, kanceri i prostatës, obstruksioni, çrregullimet neurologjike si skleroza multiple, sëmundja e Parkinsonit, goditja cerebrale, tumori në tru ose një dëmtim i palcës së kurrizit.

Gratë janë më të predispozuara për të pasur inkontinencën e stresit. Shtatzënia, lindja, menopauza dhe anatomia normale e femrës janë faktorë të veçantë vetëm për gratë. Megjithatë, burrat me probleme të prostatës kanë rrezik të rritur për inkontinencën e urgjencës dhe atë të mbi mbushjes. Me rritjen e moshës, muskujt e vezikës dhe të uterës humbin forcën e tyre. Me kalimin e moshës ndodhin ndryshime që ndikojnë në pakësimin e kapacitetit urinëmbajtës të vezikës, duke rritur mundësinë e urinimit të pavullnetshëm. Edhe mbipesha rrit presionin në vezikë dhe muskujt që e rrethojnë duke i dobësuar ato.

Simptomat

Disa njerëz lagen më pak dhe rrallë, të tjerë janë vazhdimisht të njomur. Dallohen disa forma te inkontinences urinare. Mund të përmendim inkontinencën e stresit që konsiston në rrjedhje të pavullnetshme të urinës gjatë kohës që kollitet, teshtin, qesh, bën ushtrime fizike ose ngre pesha të rënda, veprime të cilat përcjellin shtrëngimin e barkut në vezike. Ndërsa inkontinenca nga ngacmimet (urgjencës) është një rrjedhje e pavullnetshme e urinës si rezultat i një ndjenje të fortë urgjente të papritur për të urinuar që nuk mund ta ndalosh dot. Mund të lindë nevoja për të urinuar shpesh, duke përfshirë edhe natën. Inkontinenca e urgjencës mund të shkaktohet nga shkaqe të vogla siç është infeksioni, ose çrregullimet neurologjike ose diabeti. Një tjetër formë është edhe inkontinenca e mbimbushjes, ku pacienti mund të ketë derdhje të shpeshtë ose të vazhdueshme të urinës në porcione të vogla si rezultat i moszbrazjes tërësisht të vezikës. Sakaq, inkontinenca funksionale është një dëmtim fizik ose mendor, që mund të bëjë që pacienti të mos arrijë në banjë në kohë, ndërkohë që inkontinenca e përzier nënkupton që pacienti vuan nga disa lloje inkontinencash urinare.

Diagnostikimi

Pacienti mund të ketë ndrojtje për të diskutuar shqetësimin e tij për mos kontrollimin e urinimit me mjekun, por nëse inkontinenca është e shpeshtë ose prek cilësinë e jetës, është e rëndësishme të këshillohet. Kjo pasi prezenca e inkontinencës urinare mund të tregojë se ka një problem serioz të fshehur, të shkaktojë një kufizim të aktiviteteve, të shtojë rrezikun e rrëzimit të të moshuarve kur ata nguten për të shkuar në banjë. Është i rëndësishëm përcaktimi i llojit të inkontinencës. Në bazë të saj vendoset për mënyrën e mjekimit. Mjeku do të kërkojë analizë të urinës, ditarin e vezikës, matjen e urinës së mbetur në vezikë pas urinimit. Nëse kërkohet informacion i mëtejshëm, mund të rekomandohet ekzaminim urodinamik, cistoskopia, cistograma, apo një eko e legenit. Trajtimi i inkontinencës urinare varet nga lloji i inkontinencës, ashpërsia e shenjave dhe shkaqeve të saj. Mund të nevojitet një trajtim i kombinuar. Fillimisht mjeku rekomandon mjekimin më të lehtë dhe pastaj sugjeron opsione të tjera nëse i pari s’jep rezultat. Trajnimi i vezikës bëhet për të vonuar urinimin në momentin që lind nevoja urgjente për urinim. Fillohet me mbajtjen e urinës për 10 minuta sa herë që ka nevojë për urinim urgjent. Qëllimi është që të zgjatet koha midis urinimeve deri në dy ose katër orë. Urinimi i dyfishtë nënkupton një urinim normal, pastaj pritet pak minuta dhe provohet përsëri për të urinuar. Duhen evituar alkooli, kafeja dhe ushqimet me aciditet. Pakësimi i konsumimit të lëngjeve, rënia në peshë ose shtimi i aktivitetit fizik mund të lehtësojnë problemin. Mjeku rekomandon kryerjen e ushtrimeve të shpeshta, që ndihmojnë në forcimin e muskujve që marrin pjesë në kontrollin e urinimit. Këto ushtrime që njihen ndryshe dhe si ushtrime të Kegel janë në mënyrë të veçantë efektive në inkontinencën e stresit, por mund të ndihmojnë gjithashtu edhe inkontinencën e urgjencës/Gazeta Shqiptare.

Të ngjashme