Sjelljet që pëlqehen nga të gjithë

Prishtinë | 28 Kor 2019 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Shumë njerëz mendojnë se të jesh i pëlqyeshëm nga të gjithë vjen nga tipare natyrore të cilat i përkasin vetëm disa ‘’fatlumëve’’. Është e lehtë të biesh pre e këtij perceptimi por në të vërtetë, të qenit i pëlqyeshëm është në dorën tuaj dhe kjo është çështje e inteligjencës emocionale (EQ).

Në një studim të kryer së fundmi tregon se karakteristikat të cilat përcaktonin nëse një individ është i pëlqyeshëm nga shoqëria apo jo, nuk kishin të bënin më të qenit tërheqës, inteligjent apo i shoqërueshëm. Tiparet kryesore ishin sinqeriteti, transparenca dhe aftësia për të kuptuar të tjerët. Të dhënat e studimit që u zhvillua në më shumë se një milion njerëz tregojnë se njerëzit që posedojnë këto aftësi nuk janë vetëm shumë të pëlqyeshëm, por ata janë dhe shumë të suksesshëm.

Më poshtë ju rendisim sjelljet kryesore që njerëzit emocionalisht inteligjentë bëjnë dhe janë aq të pëlqyeshëm nga shoqëria:

Ata bëjnë pyetje

Gabimi më i madh që bëjnë njerëzit kur është fjala për të dëgjuar është se ata janë aq të fokusuar në përgjigjen që do të japin, saqë harrojnë të dëgjojnë personin që kanë përballë, duke humbur kështu fillin e bisedës. Një mënyrë e thjeshtë për të shmangur këtë fenomen është të bëni shumë pyetje. Njerëzit duan të dinë se po i dëgjoni dhe diçka aq e thjeshtë sa një pyetje tregon që jo vetëm po i dëgjoni, por edhe jeni shumë të vëmendshëm në atë që ata po tregojnë. Ju do të habiteni sesa respekt dhe vlerësim fitoni vetëm duke pyetur.

Ata i largojnë telefonat e tyre

Përdorimi i telefonit gjatë bisedës, tregon mungesë respekti ndaj personit që keni përballë. Kur angazhoheni në një bisedë, përqendroni të gjithë energjinë tuaj në bisedë. Ju do të kuptoni se bisedat janë më të këndshme dhe efektive kur ju e përqendroni veten në to.

Janë të vërtetë

Të qenit i sinqertë dhe i ndershëm është thelbësore për të qenë i pëlqyeshëm. Askush nuk i pëlqen gënjeshtarët. Njerëzit tërhiqen drejt atyre që janë të sinqertë, sepse ata e dinë se mund t’i besojnë. Është e vështirë të pëlqesh dikë kur nuk e di se kush është në të vërtetë dhe si ndihen me të vërtetë.

Ata nuk janë paragjykues

Nëse doni të jeni të pëlqyeshëm ju duhet të jeni të hapur. Të qenit mendjehapur ju bën të afërt dhe interesant për të tjerët. Askush nuk dëshiron të ketë një bisedë me dikë që ka formuar tashmë një mendim paraprak dhe nuk është i gatshëm të dëgjojë. Në mënyrë që të shmangni paragjykimet, ju duhet të shihni botën përmes syve të njerëzve të tjerë.

Ata nuk kërkojnë vëmendje

Njerëzit distancohen ndaj atyre që janë të dëshpëruar për vëmendje. Ju nuk keni nevojë të krijoni një personalitet të madh dhe të jashtëzakonshëm që të jeni i pëlqyeshëm. Thjesht të jesh miqësor dhe i vëmendshëm është gjithçka që duhet për të fituar simpatinë nga njerëzit. Kur flisni në një mënyrë miqësore, të sigurt dhe koncize, do të vini re se njerëzit janë shumë më të vëmendshëm dhe më të bindur sesa nëse përpiqeni t’i tregoni se jeni të rëndësishëm.

Ata përdorin gjuhën e trupit

Të bëhesh i vetëdijshëm për gjestet, shprehjet dhe tonin e zërit (dhe të sigurohesh se janë pozitive) do të tërheqë njerëz tek ju në një mënyrë të habitshme. Duke përdorur një ton të butë zëri, apo duke ruajtur kontaktin me sy, krijon një situatë të këndshme për zhvillimin e një bisede. Gjuha pozitive e trupit mund të bëjë të gjitha ndryshimet në një bisedë.

Ata lënë një përshtypje të parë të mirë

Studimet tregojnë se shumica e njerëzve vendosin nëse ju pëlqejnë apo jo brenda 7 sekondave të para të takimit. Ata pastaj kalojnë pjesën tjetër të bisedës duke justifikuar brenda vetes përshtypjen e tyre fillestare. Përshtypjet e para janë të lidhura ngushtë me gjuhën pozitive të trupit. Qëndrimi i fortë, një shtrëngim duarsh duke qeshur me personin me të cilin po flisni do ju ndihmojë që përshtypja juaj e parë të jetë e mirë.

Ata i përshëndesin njerëzit me emër

Emri juaj është një pjesë thelbësore e identitetit tuaj, ndaj këta njerëz përdorin emrat e të tjerëve sa herë që i shohin ata. Ju nuk duhet të përdorni emrin e dikujt vetëm kur ta përshëndesni. Studimet tregojnë se njerëzit ndihen të vlerësuar kur personi me të cilin po flasin i referohet atyre me emër gjatë një bisede.

Ata buzëqeshin

Njerëzit natyrisht (dhe pa vetëdije) pasqyrojnë gjuhën e trupit të personit me të cilin po flasin. Nëse doni që njerëzit t’ju pëlqejnë, buzëqeshni me ta gjatë një bisede dhe ata do ta kthejnë buzëqeshjen instinktivisht duke krijuar kështu një atmosferë të ngrohtë.

Njerëzit e ‘pëlqyeshëm’ e balancojnë pasionin e tyre me aftësinë për t’u argëtuar. Në punë ata janë serioz, por miqësor. Ata kujtojnë atë që u ke thënë atyre dje ose javën e kaluar, gjë që tregon se ju jeni po aq të rëndësishëm për ta, sa puna e tyre.

Të ngjashme