Studimi amerikan: Fëmijët e lindur në pandemi kanë inteligjencë më të ulët

Prishtinë | 14 Gus 2021 | 10:37 | Nga Ekonomia Online

Sipas një studimi të kryer në Shtetet e Bashkuara, fëmijët e lindur gjatë pandemisë së koronavirusit kanë performancë dukshëm më të ulët verbale e motorike dhe performancë të përgjithshme njohëse në krahasim me fëmijët e lindur para pandemisë.

Vitet e para të jetës së fëmijës janë kritike për zhvillimin e tij njohës. Por pasi pandemia nxiti mbyllje të bizneseve, qendrave të kujdesit, shkollave e hapësirave për lojë, jeta për fëmijët ndryshoi në masë të konsiderueshme. Prindërit u përfshinë nga stresi përderisa mundoheshin që të vendosin baraspeshë mes punës e kujdesit ndaj fëmijëve.

Me nxitje të kufizuar në shtëpi e me më pak ndërveprim me botën jashtë, fëmijët e periudhës së pandemisë duket se kanë arritur rezultate të ulëta shokuese në testet e hartuara për vlerësimin e zhvillimit të aftësive njohëse, tha udhëheqësi i studimit, Sean Deoni, profesor i pediatrisë në Universitetin Brown.

Në dekadën që i parapriu pandemisë, rezultati i testit të inteligjencës për fëmijët mes moshës 3-muajshe dhe 3-vjeçare sillej rreth 100, por për fëmijët e lindur gjatë pandemisë, kjo shifër ra në 78, sipas kësaj analize, shkruan The Guardian.

Studimi përfshiu 672 fëmijë nga Rhode Island. Nga ta, 188 ishin të lindur pas korrikut të vitit 2020 dhe 308 para janarit të vitit 2019, ndërsa 176 mes janarit të vitit 2019 e marsit të vitit 2020. Fëmijët e përfshirë në studim nuk ishin të lindur para kohës, nuk kishin të meta në zhvillim dhe ishin kryesisht të racës së bardhë.

Shkencëtari Deoni thotë se arsyeja më e madhe prapa rënies së rezultatit në teste ka gjasë të jetë mungesa e nxitjes dhe ndërveprimit në shtëpi. “Prindërit janë të stresuar dhe të rraskapitur. Ndërveprimi që fëmija do ta kishte normalisht ka rënë në masë thelbësore”, tha ai.

Nuk është e qartë nëse këto rezultate të ulëta do të kenë ndikim afatgjatë. Në vitet e para të jetës vendosen themelet për njohje, ngjashëm si ndërtimi i një shtëpie – ëhstë më lehtë të shtosh kate pas ndërtimit të themelit, thotë Deoni. “Aftësia për t’u përmirësuar bëhet më e vogël sa më shumë që rritet fëmija”, shton ai.

Të ngjashme