Studimi: Deri në 25 filxhanë kafeje në ditë, asnjë pasojë për zemrën

Prishtinë | 03 Qer 2019 | 11:56 | Nga Ekonomia Online

Jeni të “dashuruar” pas një filxhani kafeje, saqë nuk arrini dot të frenoni veten për konsum të përditshëm? Mos u shqetësoni! Cilido që konsumon deri në 25 filxhanë kafeje në ditë duhet të mbetet i sigurtë se nuk ka për të pasur asnjë pasojë për zemrën, të paktën siç thuhet në një studimi të fundit.

Shumë studime të mëparshme sugjeronin se kafeja rëndon gjendjen e arterieve, duke i ngurtësuar ato aq sa të shtojnë presionin e gjakut në zemër, madje duke shtuar edhe gjasat për një atak kardiak, ndaj dhe kafedashësit ishin paralajmëruar të kufizonin konsumin, transmeton tch.

Por, një studim i ri i bërë me më shumë se 8.000 persona anembanë Britanisë së Madhe doli në përfundimin se 5 filxhanë kafeje në ditë, madje edhe deri në 25 të tilla, nuk shkaktojnë asnjë dëm për arteriet, krahasuar me ata që konsumojnë një apo asnjë filxhan në ditë.

Studimi i financuar pjesërisht nga Fondacioni britanik për Zemrën (BHF) është prezantuar gjatë një konference të organizatës “British Cardiovascular Society” në Manchester. Ekspertë nga Universiteti “Queen Mary” i Londrës (QMUL) i ndanë 8.412 personat në tri grupe përgjatë studimit.

Grupi i parë konsumonte më pak se një filxhan kafeje në ditë, grupi i dytë konsumonte 1-3 filxhanë kafeje në ditë, ndërsa i treti më shumë sesa 3. Por, një pjesë e këtij të fundit konsumuan deri në 25 filxhanë kafeje në ditë. Gjithsesi, mesatarja e konsumit të kafesë në këtë grup ishte 5 filxhanë në ditë.

Studiuesit zbuluan se, edhe ata që pinë deri në 25 filxhanë kafeje në ditë nuk kishin gjasa të pësonin efekte anësore në arterie, krahasuar me ata që pinin më pak se një filxhan në ditë të grupit të parë.

Pjesëmarrësve në këtë testim iu kryen skanime “MRI” të zemrës, si dhe teste të pulsit të rrahjeve të zemrës, ndërsa rezultatet pretendohen të vërteta edhe pas shqyrtimit të faktorëve të tillë si mosha, pesha apo statusi i duhanpirjes./tch

Të ngjashme