Këngëtarja amerikane Taylor Swift ka triumfuar edhe një herë në “American Music Awards”, duke i fituar gjashtë çmime, tani gjithsej 29, duke e tejkaluar kështu rekordin e Michael Jackson me 24 çmime.
Swift e fitoi çmimin kryesor për artisten e vitit, si dhe katër çmime të tjera. Ajo gjithashtu e fitoi çmimin e nderit si artistja e dekadës, me çfarë arriti në numrin 29 të çmimeve të “Awards American Music Awards”, duke e tejkaluar kështu rekorderin e deritanishëm Michael Jackson me 24 çmime.
“Gjëja më e rëndësishme për mua janë kujtimet që i kam me ju ndër vite”, – tha 29 vjeçarja Swift para publikut në ceremoninë në Los Angeles pasi e interpretoi një remix të hiteve të saj.
Pritej që Swift do të fliste për mosmarrëveshjen me shefat e shtëpisë diskografike Big Machine Records, Scooter Brown dhe Scott Borchett sepse ata ia kishin marrë të drejtat autoriale të gjashtë albumeve të saj të para, të cilat ajo i regjistroi derisa ishte nën kontratën e tyre. Si rezultat, Taylor u kërcënua me një ndalim të interpretimit të muzikës së saj, si dhe me ndalimin e përdorimit të së njëjtës muzikë në dokumentarin e lansuar nga Netflixi.
Megjithatë, së fundi Big Machine Label Group dhe Dick Clark Production njoftuan se e kanë arritur një marrëveshje për licencim me të cilën aprovohen performancat e artistëve të tyre për emisione streaming dhe emetime në platforma të miratuara reciprokisht.
Por të dielën këngëtarja nuk e përmendi mosmarrëveshjen, megjithëse ajo e hapi performancën e saj e veshur me një këmishë të bardhë në të cilën ishin shkruar titujt e albumeve të saj të vjetra.
“Ky vit ka qenë i plotë për mua. Ishte goxha i mirë, por edhe mjaft i ndërlikuar”, – tha Swift, e cila në garë mposhti Drake, Ariana Grande, Halsey dhe Post Malone. Ajo gjithashtu e fitoi çmimin për videon më të mirë muzikore, albumin më të mirë pop/rock, këngëtaren më të mirë pop/rock.
Këngëtarja e re Billie Eilish (17) i fitoi dy statuja për artisten më të mirë të re dhe artisten më të mirë të rockut alternativ, pasi që singli i saj “Bad Girl” u ngjit në krye të toplistave amerikane.
“Ju e keni mundësuar të gjithë këtë”, – tha Eilish, duke i falënderuar fansat e saj. Eilish e theksoi mbështetjen e saj për organizatat mjedisore duke e veshur bluzën me sloganin ‘No Music on a Dead Planet’.
Selena Gomez (27) e hapi ceremoninë me performancën e saj të parë të drejtpërdrejtë në televizion në dy vjet pasi që në vitin 2017 iu nënshtrua transplantimit të veshkave dhe luftoi me anksiozën dhe depresionin.
Këngëtarja e R&Bm Lizzo e performoi singlin e saj të ri ‘Jerome’, ndërsa kubania Camila Cabello (22) dhe i dashuri i saj Shawn Mendes (21) e kënduan hit-singlin e tyre ‘Senorita’, i cili e fitoi çmimin për bashkëpunimin e vitit.
Dua Lipa shkëlqeu me këngën e saj “Don’t Start Now”. Kanë interpretuar edhe Jonas Brothers, Kesha, Halsey, Christina Aguilera dhe Shania Twain.