Të jesh apo të dukesh sikur je?

Prishtinë | 25 Qer 2017 | 16:16 | Nga Edmond Tupja

Debat i vjetër ky, madje filozofik, midis thelbit apo të qenësishmes, nga njëra anë, dhe dukjes apo të sipërfaqshmes, nga ana tjetër. Të ndihesh i ri në shpirt, pra, kureshtar, me temperament, i hapur ndaj së resë, por të pranosh njëkohësisht të mbash shenjat dhe gjurmët e pashlyeshme të viteve që kalojnë, ja një nga dilemat me të cilat po përballet përherë e më shumë njeriu i epokës së sotme.

Në këto kohë moderne, madje postmoderne, një nga mendimet më të ngulëta të njeriut të qytetëruar duket se është dëshira e papërballueshme për të mbetur kurdoherë i ri, i bukur, tërheqës nga pamja e jashtme, madje për një kohë sa më të gjatë dhe, në këtë drejtim, mjekësia estetike duket se do të kapërcejë shekujt, sepse askush nuk e do plakjen sado vonë i ardhtë ajo.

Megjithatë, që në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, Borin Vian-i, shkrimtar surrealist francez, në romanin e tij “Dhe do t’i vrasim gjithë të shëmtuarit”, paralajmëronte se kur të shëmtuarit të bëheshin shumë të rrallë në botë si pasojë e përmirësimit gjenetik të racës njerëzore, ata do të bëheshin njëkohësisht, ndonëse paradoksalisht, nga më të kërkuarit”. A thua të realizohet parashikimi i tij në epokën tonë të kirurgjisë estetike?

Nga ana tjetër, sidomos te mbështetësit e lëvizjes feministe, ka pasur personalitete që refuzonin kategorisht t’i nënshtrohen ndërhyrjes kirurgjikale qoftë edhe për të rimodeluar një hundë që u stononte në mes të fytyrës! Njëra syresh, madje para gjysmë shekulli, deklaronte se hunda e saj e madhe përbënte kulmin e sharmit që kishte dhe se nuk donte të shtonte radhët e imitueseve të Brigitte Bardot-së duke e zvogëluar atë!Gjithçka te qenia njerëzore sot, falë shkencës mjekësore, mund të bëhet objekt përmirësimi estetik: fytyra (hundë, veshë, faqe, buzë, gojë e mjekër), gjoksi (në vëllim, lartësi, fortësi, rrumbullakësi etj.) krahët, vithet, kofshët e pulpat; lloj-lloj substancash të injektuara dhe lloj-lloj protezash të vendosura në trupin e njeriut e bëjnë sot këtë të duket si të ishte dhjetë a njëzet vjet më i ri. E tëra kjo zhvillohet vrullshëm në kuadrin e shtrirjes së videologjisë në kurriz të ideologjisë, pra në kuadrin e konkurrencës midis kënaqësive shqisore në kurriz të kënaqësive intelektuale, çka e konfirmojnë edhe përparimet e dukshme, gjithashtu falë arritjeve të shkencës, në mbajtjen gjallë të aktivitetit seksual të njeriut edhe kur ky hyn në moshën e tretë.

Të ngjashme