Udhëtimet na bëjnë më të lumtur se blerja e gjërave materiale

Prishtinë | 08 Nën 2023 | 21:45 | Nga Ekonomia Online

Ne rendim drejt dyqaneve për të blerë gjëra materiale kur kemi të holla, pasi në një farë mënyrë mendojmë se kjo na bën të ndihemi më të lumtur.

Realisht, për momentin ndiejmë një kënaqësi të madhe, por disa ditë më vonë kuptojnë se kjo kënaqësi ka ikur, pa lënë asnjë gjurmë reale.

Mirëpo, studiuesit kanë ofruar një zgjidhje se si njerëzit mund të gjejnë lumturinë e vërtetë, e cila sipas tyre nuk gjendet të gjërat materiale.

Studiuesit pohojnë se kënaqësia që ofrojnë gjërat materiale është e përkohshme, ndërsa ajo që ofrojnë udhëtimet zgjat.

Rezulton se pengesa kryesore drejt lumturisë është përshtatja. Në rastin kur ne blejmë gjëra materiale, kjo kthehet në një rutinë dhe niveli i kënaqësisë bie.

Ne jemi të detyruar që të gjejmë diçka tjetër që mund të na sjellë kënaqësi. Ky proces përsëritet vazhdimisht. Një hulumtim i kryer në Universitetin “Cornell” ka gjetur një mënyrë për ta “thyer” këtë cikël të dëmshëm psikologjikisht dhe jo vetëm.

Profesori i psikologjisë Thomas Gilovich ka arritur në përfundim se niveli i kënaqësisë kur ne blejmë diçka dhe kur udhëtojmë është i njëjtë.

Mirëpo, këtu ka një ndryshim të madh, pasi në rastin e blerjeve niveli i lumturisë bie me kalimin e kohës, ndërsa kujtimet e përvojës sonë të udhëtimit vazhdojnë të na shoqërojnë për një kohë të gjatë. Madje gjatë gjithë kësaj kohe, ne ndihemi të lumtur teksa kujtojmë çastet që kemi kaluar.

Dhe në këtë rast, niveli i lumturisë rritet dhe nuk bie, siç ndodh kur blejmë të mira materiale.

Përjetimi i ngjarjeve të jashtëzakonshme, mësimi i gjërave të reja gjatë udhëtimeve, praktikimi i sporteve ekstreme, të gjitha këto janë një burim ideal lumturie për secilin prej nesh.

Çdo udhëtim i ri është një burim i vërtetë gëzimi, i cili mbetet gjatë në memorien tonë dhe na fal kënaqësi pafund.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme