Vaji i sojës është më i keq se sheqeri dhe yndyrnat e ngopura

Prishtinë | 01 Gus 2018 | 16:37 | Nga

Vaji i sojës është një nga vajrat më të përdorura bimore që nuk duhet t’i keni në raftin e kuzhinës suaj, sepse shpesh është një përbërës i ushqimit të gatshëm dhe të përpunuar në kanaçe dhe paketime të ngjashme.

Prej kohësh konsiderohej si një zgjedhje e shëndetshme, por rezultatet e një studimi të publikuar në revistën PLoS One sugjerojnë se ky vaj mund të lërë pasoja në shëndetin e individit dhe se është më i pashëndetshëm se sheqeri dhe yndyrnat e ngopura të cilat në temperauturën e dhomës janë në gjendje (gjysmë)të ngurtë (derisa vajrat, e përsërisim, si yndyrna të pangopura për shkak të strukturës së tyre në temperaturën e dhomës janë në gjendje agregate të lëngshme), transmeton koha.net.

Shkencëtarët nga Universiteti i Kalifornisë zhvilluan testime në minjtë laboratorikë, duke u dhënë atyre ushqim me 40% yndyrë, që është për nga sasia ngjashëm me atë të konsumuar nga shumica e amerikanëve.

Njëri grup mori yndyra të ngopura kryesisht nga vaji i kokosit, ndërsa grupi tjetër ushqehej me ushqime të bazuara në yndyrë të pangopur nga vaji i sojës, të cilit iu shtua vaji i kokosit. Grupi tjetër e mbajti të njëjtën sasi të yndyrave të pangopura të konsumuara nga amerikanët mesatarë.

Shkencëtarët gjithashtu në kuadër të dy planeve dietetike u dhanë minjëve edhe dy versione të ushqimeve të pasura me yndyrë me shtojcë të fruktozës, sheqerit që ndodhet në fruta dhe mjaltë.

Ushqimi i të katër dietave e përmbante të njëjtën sasi të kalorive, kështu që shkencëtarët mundën ta vlerësonin efektin e vërtetë të llojeve të ndryshme të vajit dhe fruktozës në organizmin e minjëve. Ata prisnin që minjtë që e konsumuan yndyrën me fruktozë të shtonin më shumë peshë dhe të zhvillonin rezistencë më të fuqishme ndaj insulinës, por kjo nuk ndodhi.

Më së shumti shtuan në peshë minjtë nga grupi që hanin ushqime me vaj të sojës, 9% më shumë se minjtë që konsumuan ushqime të yndyrshme me fruktozë, ndërsa madje 25% më shumë se ata që konsumuan vaj të kokosit.

Minjtë që konsumuan vaj të sojës kishin mëlçi më të yndyrshme dhe më shumë rezistencë ndaj insulinës. Udhëheqësi i studimit, Poonamjot Deol, e pranoi se është befasuar me rezultatet, “veçanërisht duke i pasur parasysh paralajmërimet e përditshme në lidhje me rolin e sheqerit në epideminë e obesitetit”, transmeton koha.net.

Nutricionistja australiane Lyndi Cohen tha se gjysma e vajrave bimore të prodhuara në botë përbëhen nga vaji i sojës, i cili më pas për shkak të çmimit të ulët përdoret në shumë ushqime të përpunuara dhe të paketuara.

Kur në produkt gjendet etiketa “vajra bimore”, bëhet fjalë më së shumti për vajin e sojës ose ndonjë komponent tjetër të tij. Cohen shtoi se gjenet e mëlçisë së njeriut sillen si gjene të minjve, që do të thotë se studimi i përmendur mund të vlejë edhe për ne.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme