Mustafa: Kur LDK prishi koalicionin me Kurtin, atë e përkrahnin diplomatët e huaj

Prishtinë | 07 Qer 2023 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se janë vetë ndërkombëtarët dhe ata që i ka quajtur analfabetë funksionalë ata që e sollën kryeministrin aktual Albin Kurti në pushtet, duke komentuar raportet e vendit me aleatët ndërkombëtarë pas tensioneve të fundit në veri.

Mustafa përmes Facebookut ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës e prishi koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje në vitin 2020 vetëm për të evituar konfrontimin me SHBA-në, edhe pse siç thotë ai, e pagoi shumë shtrenjtë.

“LDK në vitin 2020 prishi koalicionin me VV-në për të evituar konfrontimin e Kosovës me SHBA-në. E pagoi çmimin më të shtrenjtë me rreth 100 mijë vota! Por në atë kohë VV-në e përkrahnin diplomatët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian e…. E sollën vetë në pushtet së bashku me analfabetët funksionalë”.

“Sot, frikësohem se çmimin e prishjes së relacioneve me SHBA-të dhe BE-në , nuk do ta paguajë VV me Kurtin dhe Osmanin, por do ta paguajë e gjithë Kosova. Ngushëllimi i vetëm më mbetet se Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte vlerësuar drejtë rrezikun dhe vepruam mirë në interes të Kosovës”, ka shkruar Mustafa.

Të ngjashme