​Hajrizi: Kosova duhet të bëhet kampione e drejtësisë

Prishtinë | 10 Dhj 2016 | 16:31 | Nga

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi vlerësoi se shoqëria kosovare duhet të përkrahë, fuqizojë dhe shtojë kontributin në promovimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ai e ka thënë këtë në konferencën “Pavarësia dhe paanshmëria e sistemit gjyqësor në Kosovë”, organizuar nga UBT, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të shtunën.
“Lufta e tmerrshme dhe dhuna e ushtruar ndaj popullit tonë është ende freskët në kujtesën tonë kolektive, si shkelje mizore e të drejtave të njeriut, prandaj ne sot duhet të jemi kampion në mbrojtjen e tyre”, theksoi Hajrizi.,

Me qëllim të përmirësimit të gjendjes aktuale të drejtësisë në vend, Hajrizi njoftoi se institucioni të cilin ai e drejton, ka themeluar Institutin Kosovar për Drejtësi dhe Sundim të Ligjit.
“UBT po mundohet ta përkrahë dhe fuqizojë kontributin në promovimin e të drejtave të njeriut, me qëllim të krijimit të një shteti të së drejtës”, përfundoi rektori Hajrizi.

Ish-ombudspersoni i Kosovës, Marek Antoni Nowicki vlerësoi se problemi më i madh në Kosovë është mosrespektimi i kufirit mes sistemit gjyqësor dhe atij ekzekutiv.
”Gjyqtarët dhe politikanët duhet t’i shmangin të gjitha llojet e lidhjeve mes tyre, në mënyrë që t’i shmangen ndikimeve dhe presionit të mundshëm”, theksoi Nowicki, për të shtuar se, “institucionet e drejtësisë dhe gjykatat nuk duhet të ekzistojnë vetëm nëpër ligje, por edhe në praktikë”.

Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, duke treguar përvojën dhe vështirësitë e të qenit Ombudsperson, tha se institucionet gjyqësore dhe prokuroriale kanë probleme të theksuara e sistematike të natyrave të ndryshme, prandaj sipas tij, nevojitet qasje sistematike për zgjidhjen e tyre. “Ligjet janë garanci mbi të cilat duhet të varet dhe ndërtohet mënyra jonë e jetesës”, shtoi Jashari.

Përfaqësuesi i Institutit për Drejtësi i Kosovës, Betim Musliu ngriti shqetësimin se në Kosovë mungon vullneti për të krijuar një sistem gjyqësor të pavarur dhe të paanshëm.
“Sistemi ynë gjyqësor është i brishtë, jofunksional dhe i varur nga politika”, vlerësoi Musliu, teksa shtoi se, “të gjithë qytetarët e Kosovës janë të barabartë para ligjit, por jo edhe gjatë zbatimit të tij”.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi potencoi se ligjet e Kosovës sigurojnë pavarësinë e gjyqësorit, por sipas tij, kjo pavarësi nuk është shumë reale.
“Pavarësia dhe paanshmëria e sistemit tonë gjyqësor nuk është edhe aq reale, pasi që ndikohet në mënyrë indirekte nga politika”, tha Idrizi. Ai foli për nevojën e madhe për ndryshime dhe për të metat e gjyqësorit.
“Mënyra e përzgjedhjes së gjyqtarëve, forma e financimit, mungesa e vullnetit dhe llogaridhënies”, sipas Idirizit, “janë vetëm disa nga të metat dhe ngecjet e sistemit tonë gjyqësor”.

Duke shpalosur qëllimin e Institutin Kosovar për Drejtësi dhe Sundim të Ligjit, ligjëruesja e UBT-së, njëherësh edhe udhëheqëse e panelit të diskutimit, Gjylbehare Bella – Murati, tha se ideja është që të krijohet një frymë hulumtuese brenda këtij institucioni akademik.
“Gjykata dhe gjyqtarët duhet të jenë mbrojtës të së drejtave të njeriut”, theksoi Murati, pasi që sipas saj, “Kosova ka shumë për të ofruar për sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njerëzve”.

Përfaqësuesja e UNDP-së, Virxhina Dumnica vlerësoi se pavarësia dhe paanshmëria e sistemit gjyqësor në Kosovë është mbi të gjitha nevojë dhe detyrim.
“Pavarësia e gjyqësorit nuk është privilegj, por obligim që rrjedh nga nevojat e qytetarëve”, tha ajo.
Tutje, duke përmendur standardet mbi të cilat bazohen dhe respektohen të drejtat e njeriut në Kosovë, Dumnica tha se besimi i qytetarëve vjen para të gjitha elementeve të tjera.
“Besimi i publikut në gjyqësor, është parakusht për profesionalizimin e tij”, përfundoi ajo.

Profesoresha e fakultetit Juridik në UP, Remzije Istrefi tha se qytetarët e kanë humbur besimin në funksionin e sistemit gjyqësor, dhe kjo sipas saj, “për shkak të mosgatishmërisë së njerëzve kompetentë për të detektuar njerëzit e ndikuar nga politika”.
Ajo tha se një pjesë e fajit për këtë sistem e ka edhe sistemi edukativ në Kosovë, i cili, sipas Istrefit, “nuk po arrin të ndërtojë njerëz të pavarur dhe të paanshëm”.

Përfaqësuesi i organizatës “ÇOHU”, Genc Nimoni solli disa nga hulumtimet dhe gjetjet e fundit të kësaj organizate, rezultatet e të cilave shpalosin mangësi në gjyqësorin e Kosovës, si dhe shkelje të të drejtave të njeriut, duke vënë theksin tek veriu i Kosovës.
“Në veri të Kosovës është pjesa ku gjyqësori i Kosovës nuk ka arritur ta shtrijë tërësisht ndikimin e vet”, tha Nimoni, për të shtuar se, “në këtë pjesë shkelen të drejtat elementare të njeriut, duke përfshirë edhe të drejtën e pronës”, vlerësoi Nimoni.

Konferenca i mbylli punimet pas një debati panelistë-pjesëmarrës, ku u diskutua mbi institucionet paralele në veri të Mitrovicës, për afatet kohore të trajtimit të rasteve korruptive, për rastet e monitorimit të personave të korruptuar, krahasimin e performancës së policisë me atë të gjyqësorit, buxhetin e ulët etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme