​IHMK: S’ka rrezik për përmbytjet lumore në Kosovë

Prishtinë | 16 Kor 2021 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) përmes një komunikate për media bën të ditur se, përkundër reshjeve me intensitet të lartë, nuk do të ketë rrezik për përmbytje lumore.

Në njoftimin e bërë thuhet se reshje të shiut do të ketë nga data 17 deri më 19 korrik.

“E shtune, 17 korrik 2021 – e hëne 19 korrik 2021 00:00. Sipas llogaritjeve të IHMK (Sektori për hidrologji dhe prognoza hidrologjike), nga data 17 – 19 korrik 2021, pasi që pritet të ketë reshje të shiut me intervale të ndryshuara të cilat do të jenë të intensitetit të ulët deri mesatarisht të lartë por kryesisht të karakterit lokal, mund të jenë të shoqëruar me shtrëngata dhe herë pas here me shkarkime rrufesh dhe mundësi breshëri, të cilat mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi lokale, si në funksionimin e sistemeve të kanalizimeve, dhe të ujërave atmosferike, vështirësi lokale të qarkullimit rrugorë, rrëshqitje të dheut etj”, thuhet në njoftim.

IHMK shton tutje se “reshjet me intensitet më lartë në disa zona, mund të aktivizojnë rrjedhat e shpjeta me karakter malorë siç janë përrenjtë si dhe paraqitjen e vërshimeve të shpejta lokale”.

“Në lumenjtë kryesorë, sipas rrjetit të stacioneve hidrometrike në Kosovë, nuk përshihet që të kenë lëkundje të theksuara të niveleve dhe prurjeve të ujit, prandaj edhe nuk do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore”, vijon njoftimi.

Më tej, në njoftim thuhet se ky informacion do të përditësohet nga IHMK sipas, situatës dhe llogaritjeve hidrologjike.

Të ngjashme