​Komunat e vogla kanë probleme financiare

Prishtinë | 15 Gus 2016 | 14:04 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Riinvest ka organizuar tryezën “Përputhshmëria e Prioriteteve të Qeverisë Qendrore me ato të Qeverive Lokale të Rajonit Qendër”, ku zyrtarë të lartë qeveritarë dhe komunalë, diskutuan gjetjet e dala nga studimi i vlerësimit të përputhshmërisë mes prioriteteve qeveritare dhe komunale.

Qëllimi i këtij studimi është të identifikojë dhe vlerësojë përputhshmërinë e prioriteteve të zhvillimit rajonal konkretisht rajonit ekonomik Qendër dhe prioriteteve kombëtare të adresuara nga Qeveria qendër.

Prioritetet e tjera, siç është zhvillimi i infrastrukturës, arsimi dhe bujqësia janë konstatuar të jenë prioritet për më shumë së gjysmën e komunave të rajonit Qendër.

Alban Hashani, nga Instituti Riinvest tha se qëllimi i studimit është që të identifikoi dhe vlerësoi përputhshmërinë e prioriteteve zhvillimore të nivelit komunal të këtyre komunave dhe të nivelit qendror në mënyrë që të arrihet një sinergji në mes këtyre prioriteteve dhe të arrihet një zhvillim i përshpejtuar.

“Identifikimi i prioriteteve në nivel të komunave është bërë kryesisht duke i konsultuar dokumentet strategjike të komunave, pra strategjitë zhvillimore të komunave si dhe duke marrë vlerësime prej zyrtarëve komunal respektivisht drejtorëve të cilët kanë vlerësuar se sa maten prioritetet e komunës me prioritetet e nivelit qendror. Plani zhvillimore ose Strategjia kombëtare për zhvillim 2016-2021…ka katër shtylla tematike, fokusohet në zhvillimin e kapitalit njerëzor, zhvillimin e industrive konkurruese, zhvillimin e infrastrukturës dhe sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë”, theksoi Hashani.

Këshilltari i kryeministrit Isa Mustafa, Sokol Havolli tha se problemet e nivelit lokal janë specifike, por Qeveria ka dokumentet në hartimin e strategjive të cilat adresojnë shumë çështje të rëndësishme për komunat.

Ai tha se komunat e mëdha nuk kanë probleme financiare siç është Prishtina, por janë komunat e vogla të cilat përballen me probleme financiare si Komuna e Obiliqit.

“Përtej këtyre dokumenteve strategjike të cilat tanimë u përmenden… kryeministri Isa Mustafa vazhdimisht ka pasur vizita nëpër komuna, të cilat janë diskutuar me kryetar të komunave për problemet kryesore të cilat ballafaqohen këto komuna. Shumica prej kërkesave janë edhe kërkesa reale…një numër i konsiderueshëm i të gjitha këtyre kërkesave përveç se janë vlerësuar të arsyeshme edhe janë adresuar përmes procedimit të rishikimit buxhetor dhe përmes kontingjentesh prej 4 milionë euro që ka ndarë Qeveria me qëllim të adresimit të këtyre kërkesave të nivelit lokal”, theksoi Havolli.

Besim Kamberaj nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, tha se rajoni ekonomik qendër në fakt është më i zhvilluar dhe sigurisht se edhe në të ardhmen do të ketë një disbalanc me rajonet ekonomike të tjera për faktin se kryeqyteti është pjesë e tij.

“Komunat duhet të kenë ndërlidhje me prioritetet qeveritare për shkak se prej një analize që kemi bërë ne për grantet e të hyrave vetanake do të thotë pesë vjet, 2010-2014, ka dalë që varshmëria buxhetore e komunave në raport me grantet qeveritare është 85 për qind, ku vetëm 15 për qind buxheti komunal gjenerohet nga të hyrat vetanake. Kjo tregon një varshmëri të madhe nga niveli qendror dhe pa dyshim që duhet të ketë ndërlidhje në mes prioriteteve komunale dhe atyre qeveritare”, theksoi Kamberaj.

Të ngjashme